30-03-2017

Aktivitetet e realizuara në PTF– Mars 2017

Aktivitetet e realizuara në PTF– Mars 2017

Gjatë muajit mars 2017, janë realizuar aktivitete trajnuese në përmbushje të Programit të Trajnimit Fillestar, për prokurorët e shtetit të sapoemëruar.

Në kuadër të trajnimit teorik, kanë vazhduar dhe janë realizuar edhe 2 sesione trajnuese nga nën-moduli “KEDNJ-legjislacioni për të drejtat e njeriut”, ku janë trajtuar neni 13 dhe 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në përmbushje të trajnimit teorik, janë realizuar edhe 6 sesione trajnuese nga nën-moduli “Kallëzimi penal”. Në kuadër të këtij nën-moduli janë shtjelluar çështjet mbi kallëzimin penal në përgjithësi, kuptimi i kallëzimit penal, kallëzimi penal i policisë, kallëzimi penal nga burimet tjera, kallëzimi penal i cili i paraqitet Prokurorit të Shtetit, të dhënat plotësuese të kallëzimit penal dhe hedhja e kallëzimit penal. Po ashtu, janë realizuar edhe 8 sesione trajnuese nga nën-moduli “Aktakuza-procedura e shqyrtimit”, në kuadër të cili janë elaboruar aktakuza dhe elementet e domosdoshme të saj, ngritja e aktakuzës, të drejtat e të pandehurit pas pranimit të aktakuzës, ndryshimi, zgjerimi dhe hedhja e aktakuzës, përfaqësimi i saj nga Prokurori i Shtetit në fazat e shqyrtimit gjyqësor, propozimet ndaj kryerësve të veprave penale me çrregullime mendore, si dhe propozimet ndaj të miturve si kryerës të veprave penale.

Në kuadër të programit, u realizua edhe aktiviteti “Zhvillimi i komponentës hulumtuese dhe mësimi në distancë”, ku prokurorët e sapoemëruar janë regjistruar në platformë, janë njoftuar për mënyrën e ndjekjes së trajnimeve nga distanca, me procedurën e hartimit të punimeve për revistën “Justicia”, si dhe me mundësinë e shfrytëzimit të burimeve ligjore në bibliotekën e Akademisë së Drejtësisë.

Në kuadër të trajnimit praktik në prokurori, prokurorët e sapoemëruar kanë vazhduar  praktikën në prokuroritë përkatëse konform orarit të përcaktuar me program, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre. Po ashtu, në drejtim të përmbushjes së programit trajnues, prokurorët e sapo emëruar kanë vijuar trajnime në këto institucione: Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Komisionin e Ndërmjetësimit dhe Doganën e Kosovës.

 

Prapa