30-05-2017

Aktivitetet e realizuara në PTF

Aktivitetet e realizuara në PTF

Akademia e Drejtësisë, në drejtim të përmbushjes së programit trajnues, ka vazhduar me realizimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, të cilin janë duke e vijuar prokurorët e shtetit të sapoemëruar.

Në kuadër të aktiviteteve të realizuara në këtë periudhë janë realizuar tre (3) sesione trajnuese nga nën-moduli “Vendi i ngjarjes dhe forenzika”, ku janë trajtuar: vendi i ngjarjes, kuptimi dhe hapat e parë që duhet ndërmarrë; sigurimi i vendit të ngjarjes dhe fazat e kryerjes së këqyrjes dhe forenzika. Po ashtu janë realizuar pesë (5) sesione trajnuese nga nën-moduli “Kontrolli dhe konfiskimi”, ku janë elaboruar: rast studimi - Aktgjykimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dispozitat e KPP dhe KPRK lidhur me konfiskimin dhe sekuestrimitn, Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale dhe rast studimi nga praktika gjyqësore vendore.

Në kuadër të trajnimit teorik janë realizuar edhe pesë (5) sesione trajnuese nga nën-moduli “Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë” ku janë shtjelluar këto tema: thirrja, urdhërarresti dhe premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin, ndalimi i të pandehurit për t’iu afruar vendit të caktuar dhe personave të caktuar, obligimi i të pandehurit për paraqitjen më të afërt në stacionin policor dhe dorëzania, arresti shtëpiak, diversioni dhe paraburgimi.

Moduli i të drejtës kushtetuese, është realizuar përmes një (1) sesioni trajnues ku janë elaboruar burimet e së drejtës kushtetuese në Republikën e Kosovës.
Nën-moduli “Provat në procedurën penale” ka filluar, duke realizuar në këtë formë dy (2) sesione trajnuese, ndërsa sesionet tjera do të realizohen në muajin vijues. Po ashtu në këtë periudhë ka filluar trajnimi nga nën-moduli “Zhvillimi i shkathtësive gjyqësore”.

Në kuadër të trajnimit praktikë, prokurorët e sapoemëruar kanë vazhduar praktikën në prokuroritë përkatëse konform orarit të përcaktuar me program, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre, si dhe kanë vijuar trajnimet në këto institucione: Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Odën e Avokatëve të Kosovës, Shërbimin Sprovues të Kosovës, dhe Institucionin e Avokatit të Popullit.

Prapa