30-01-2018

Tryezë diskutimi me gjyqtarë

Tryezë diskutimi me gjyqtarë

Me 26 janar 2018, Akademia e Drejtësisë në mbështetje të Projektit për Reformë Ligjore dhe Administrative të GIZ, ka realizuar një tryezë me gjyqtarë me temë “Identifikimi i nevojave lidhur me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe si të zbatohen ato në punën e përditshme të gjyqtarëve”.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte identifikimi i nevojave të gjyqtarëve lidhur me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe hartimi i një përmbledhje të rasteve nga kjo gjykatë, bazuar në rëndësinë e rasteve, dhe veçanërisht ato që kanë vendosë parimet kryesore të kësaj gjykate.

Ekspertët e angazhuar nga radhët e profesorëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në hartimin e kësaj përmbledhje, vunë në pah vështirësitë për qasjen e vendimeve të Gjykatës  Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat edhe pse janë publike duke qenë se janë në gjuhën frënge dhe angleze bëjnë të pamundur referimin nga gjykatat tona. Po ashtu, në të shumtën e rasteve janë tepër voluminoze prandaj, përmbledhja e rasteve me çështjet kryesore do ta lehtësonte punën e gjyqtarëve dhe referimin në vendimet e kësaj gjykate.

Me rastin e kësaj tryeze, kontribut të rëndësishëm në selektimin e temave ofruan gjyqtarët pjesëmarrës duke parashtruar nevojat e tyre në çështjet më sfiduese si: çështjet e pronës, çështjet trashëgimore, çështjet e diskriminimit, kompensimi i kërkesave kur është kufizuar liria e shprehjes, kohëzgjatja e hetimeve, ushtrimi i fesë dhe shumë çështje tjera.

Në përfundim të kësaj tryeze, në bazë të kërkesave u konkludua se përmbledhja do të përmbajë për secilin nen të Konventës nga me 6-7 raste. Po ashtu, me rastin e hartimit të kësaj përmbledhje, do të përcillen rastet e vitit 2017 për Shqipërinë duke eliminuar përmbledhjet tjera që janë të përkthyera.

Përveç nevojës për një përmbledhje të tillë gjyqtarët pjesëmarrës parashtruan edhe nevojën e një trajnimi për referimin e rasteve.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin gjyqtarët nga gjitha gjykatat themelore duke përfshirë edhe Gjykatën e Apelit.

Prapa