30-01-2018

Aktivitetet e realizuara në PTF për gjyqtarët e sapoemëruar

Aktivitetet e realizuara në PTF për gjyqtarët e sapoemëruar

Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, për gjyqtarët e sapoemëruar, gjatë muajit janar ka zhvilluar disa aktivitete në drejtim të përmbushjes së programit trajnuese, duke përfshirë trajnimin teorik, trajnimin praktik si dhe vizitat në institucione jo-gjyqësore.

Në këtë periudhë janë realizuar 16 sesione trajnimi nga nën-modulet “Kontrolli dhe konfiskimi” (1), “Administrimi i procedurës penale “ (2), “Provat në procedurën penale” (6), ”Parashkrimi” (3), “Shqyrtimi fillestar, i dytë dhe shqyrtimi gjyqësor” (3), ”Provat në procedurën penale” (6), dhe “Procedurat e veçanta sipas KPPK-së” (1).

Në kuadër të këtyre nën moduleve janë trajtuar konfiskimi sipas kompetencave të zgjeruara, burimi i provës dhe mjetet provues, marrja e provës para dhe pas fillimit formal të hetimit dhe pranueshmëria e tyre, mënyra e marrjes së provës nga dëshmitarët dhe ekspertët neni 123 të KPPK, prova të papranueshme, provat sipas kapitullit XVI të Kodit të Procedurës Penale si dhe rregullat e përgjithshme për vlerësimin e provave. Gjithashtu janë trajtuar parashtresat, afatet si dhe marrja dhe komunikimi i vendimeve, dërgimi i shkresave, ekzekutimi i vendimeve dhe dispozitat tjera, shqyrtimi fillestar, marrëveshja për pranimin e fajësisë, pranimi i fajësisë gjatë shqyrtimit fillestar dhe shqiptimi i dënimit, kundërshtimi i provave, kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe shqyrtimi i dytë. Po ashtu një rëndësi e veçantë gjatë këtyre trajnimeve i është kushtuar edhe procedurës ndaj personave të cilët kanë kryer vepra penale nën ndikimin e alkoolit ose drogës, dhe procedurat penale ku përfshihen kryerësit me çrregullime mendore dhe paraburgimi i tyre.

Në kuadër të modulit Kodi Penal është trajtuar parashkrimi – natyra juridike e tij, mos zbatueshmëria e parashkrimit për veprat penale në kundër të drejtës ndërkombëtare dhe vrasjes së rëndë dhe parashkrimi i ekzekutimit të dënimit.

Metodologjia e aplikuar gjatë realizimit të këtyre sesioneve trajnuese ishte e kombinuar, duke përfshirë ligjërime teorike dhe diskutime interaktive, ku gjyqtarët e sapoemëruar ngritën çështje me interes dhe dilema të cilat po ashtu i vërejnë gjatë fazës praktike të trajnimit në gjykatat përkatëse. Përmes detyrave dhe ushtrimeve praktike, ata u angazhuan në përgatitjen dhe prezantimin e rasteve për situata të ndryshme hipotetike.

Në kuadër të trajnimit praktikë, gjyqtarët e sapoemëruar kanë vazhduar praktikën në gjykatat përkatëse konform orarit të përcaktuar me program, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre. Po ashtu, gjyqtarët e sapoemëruar, gjatë kësaj periudhe, kanë realizuar trajnimin me Qendrën për Punë Sociale.

Prapa