29-05-2018

Sistemi Gjyqësor në Kosovë

Sistemi Gjyqësor në Kosovë

Më 29 maj 2018, Akademia e Drejtësisë, bazuar në kërkesën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në mbështetje të UNDP-së, ka vazhduar trajnimin e tretë me radhë për zyrtarët e këtij institucioni me temë: “Njoftim i përgjithshëm për Sistemin Gjyqësor në Kosovë”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte njohja me etapat e zhvillimit historik të reformës gjyqësore në Kosovë, që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme, duke përfshirë legjislacionin në fuqi dhe strukturën aktuale të gjykatave dhe prokurorive, si dhe kompetencat e tyre.

Me rastin e këtij trajnimi nga ana e trajnuesve u vunë në pah struktura e gjykatave sipas Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Kosovës, kompetencat dhe funksionet pas hyrjes në fuqi të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, organizimi i sistemit gjyqësor sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe së fundmi sipas ligjit aktual për Gjykata. Në këtë drejtim po ashtu u vunë në pah problemet që i përcjellin gjykatat, si dhe ndryshimet pozitive qoftë në menaxhimin e punës ashtu edhe në zbatimin e drejtësisë.

Gjatë trajnimit pati diskutime të shumta edhe nga pjesëmarrësit, veçanërisht në çështjet që janë fushëveprim i Agjencisë për Ndihmë Juridike falas, si dhe çështje tjera lidhur me materien e trajtuar.

Përfitues në këtë trajnim ishin zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica, si dhe Podujeva. Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin edhe nga pjesëtarë të OJQ-ve si CRPK, CLARD si dhe Femrat Aktive të Gjakovës.

Prapa