28-06-2018

Bazat juridike për caktimin përmbarimit

 Bazat juridike për caktimin përmbarimit

Më 28 qershor 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoj trajnimin me temë: “Bazat juridike për caktimin përmbarimit”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me bazat juridike për caktimin përmbarimit.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan roli dhe rëndësia e organit përmbarues, vendimet, mjetet dhe objekti i përmbarimit. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan bazat juridike për caktimin e përmbarimit dhe veprimet e organit përmbarues, në këtë kontekst se çka duhet të përmbajë propozimi për përmbarim, procedurën e shqyrtimit të propozimit, procedurën e caktimit të përmbarimit, përmbajtjen e aktvendimit për përmbarim dhe urdhrit për përmbarim.

Në vazhdim të trajnimit u potencua se Ligji për Trashëgiminë ka paraparë bazat për thirrje në trashëgimi, rendet ligjore të trashëgimisë, procedurën gjyqësore e cila ka të bëjë me shqyrtimin e pasurisë trashëgimore të trashëgimlënësit dhe trashëgimtarët e pjesës së domosdoshme të trashëgimisë. Ndërsa në praktikën gjyqësore ka vështirësi dhe dilema rreth përcaktimit të vëllimit të pjesës së domosdoshme dhe personave që e gëzojnë këtë të drejtë, por edhe në çështjet që kanë të bëjnë me bazat e thirrjes në trashëgimi dhe rendet ligjore të trashëgimisë.

Gjithashtu ky trajnim kontribuoj në heqjen e dilemave dhe në unifikimin e praktikës gjyqësore për çështjet e cekura më lartë, posaçërisht në pjesën që ka të bëjë me kompetencën në lidhje me kryerjen e procedurës për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore, gjykatat apo noterët (për shkak të mos harmonizimit të dispozitave ligjore të Ligjit për Trashëgiminë dhe Ligjit për Procedurën Jokontestimore me Ligjin për Noterinë). Në vazhdim u veçua mendimi se vonesat e mëdha në përmbarimin e aktgjykimeve civile në gjykatat në Kosovë, dëmtojnë rëndë të drejtën për gjykim të drejtë brenda kohës së arsyeshme dhe në përgjithësi sundimin e ligjit.

Ndërsa për sistemin privat të përmbarimit u potencua se ka gjithashtu përparësinë e heqjes së përgjegjësisë së menaxhimit të procesit të përmbarimit nga gjyqtarët dhe zyrtarëve përmbarues të gjykatave. Këto përgjegjësi i kalojnë agjentëve privat, por roli i gjykatave mbetet mjaftë i rëndësishëm sepse çështjet më të ndjeshme siç janë çështjet familjare, mbesin kompetencë ekskluzive e gjykatave, po ashtu mjetet juridike mbesin në vendosje të gjykatave si dhe funksioni tjetër i rëndësishëm-mbikëqyrja.

Gjatë trajnimit pjesëmarrësit patën mundësi që përmes materialit të ofruar nga trajnuesit, diskutimeve, analizës së rasteve studimore, t’i zbërthejnë drejtë dispozitat e Ligjit për Procedurën Përmbarimore.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore - departamentet e përgjithshme - divizionet civile.

Prapa