23-06-2018

Program shkëmbimi në Gjermani lidhur me trajnimin fillestarë të bazuar në raste

Program shkëmbimi në Gjermani  lidhur me trajnimin fillestarë të bazuar në raste

Nga data 19-23 qershor 2018, në Koblenz dhe Mainz të Gjermanisë, me mbështetjen e Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje e mëtejmë e reformës për edukim ligjor”, është realizuar një program shkëmbimi, lidhur me trajnimin e bazuar në raste si një qasje efektive për trajnim profesional dhe edukim me fokus në trajnimin fillestar.

Qëllimi i vizitës ishte ngritja e njohurive të pjesëmarrësve lidhur me procesin e të mësuarit, organizimin e trajnimit fillestar të bazuar në kompetenca dhe në vendin e punës si dhe metodat dhe mjetet e përdorura për realizimin e këtij trajnimi.

Dita e parë e këtij programi u realizua në Gjykatën Rajonale të shkallës së dytë në Koblenz, ku delegacioni u prit për një fjalë përshëndetëse nga Kryetarja e gjykatës, duke vazhduar me prezantimin e punës që nga pranimi i lëndëve, natyra, dhe mënyra e trajtimit nga kjo gjykatë.

Gjatë këtij programi pjesëmarrësit patën rastin të ndjekin sesione praktike të trajnimit fillestar të zhvilluar sipas metodologjisë së theksuar më lartë, e cila ju mundëson kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë te zhvillojnë njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë praktike lidhur me detyrat kryesore të tyre.

Fokusi i kësaj metodologji qëndron në format e trajnimit interaktiv dhe simulime, dhe në dy seanca reale gjyqësore në lëmin civile dhe penale të cilat delegacioni nga Akademia e Drejtësisë kishte rastin ti përcjellë nga afër.

Gjatë qëndrimit në Mainz, delegacioni u prit edhe nga Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë së landit Rheinland –Pfalz, i cili vlerësoi bashkëpunimin e deritashëm si dhe u zotua për bashkëpunimin edhe në të ardhmen në mes të dy shteteve dhe institucioneve përkatëse.

Përfitues të vizitës ishin tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Koordinatori i Programit dhe Udhëheqja e Programit të Trajnimit Fillestar në Akademinë e Drejtësisë, të cilët në mbështetje të projektit të Binjakëzimit kanë punuar për një kohë të gjatë në krijimin e sistemit për zbatim të trajnimeve fillestare bazuar në raste.

Prapa