16-05-2019

Lejimi i përmbarimit dhe vendosja sipas prapësimit

Lejimi i përmbarimit dhe vendosja sipas prapësimit

Më 16 maj 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin dyditor me temë: “Lejimi i përmbarimit dhe vendosja sipas prapësimit” në kuadër të PTV-së.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me procedurën e shqyrtimit të propozimit përmbarimor dhe lejimit të përmbarimit  si dhe vendimet që merren në fazën e shqyrtimit të prapësimit.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Titujt e përmbarimit-dokumenti përmbarimor dhe dokumenti i besueshëm dhe kushtet për lejimin e përmbarimit. Në pjesën e dytë u trajtuan kompetenca për vendosje lidhur me prapësimin dhe shkaqet për paraqitjen e prapësimit si dhe vendimet e gjykatës lidhur me këtë.

Që në fillim u potencua se Ligji i Procedurës Përmbarimore rregullon procedurën përmes së cilës gjykatat dhe përmbaruesit privat përcaktojnë dhe zbatojnë përmbarimin në bazë të dokumenteve përmbaruese dhe dokumenteve të besueshme, përveç nëse me ligj të veçantë parashihet ndryshe.

Në vazhdim u theksua se Ligji i Procedurës Përmbarimore parasheh prapësimin si mjet juridik me të cilin palët mund të atakojnë vendimin e organit përmbarues, me të cilin është lejuar përmbarimi. Zbatimi i procedurës së përmbarimit nga ana e përmbaruesve privat ka përparësinë e heqjes së përgjegjësisë së menaxhimit të procesit të përmbarimit nga gjyqtarët dhe zyrtarët përmbarues të gjykatave, që shpesh marrin një pjesë të rëndësishme të kohës së tyre.

U veçua vlerësimi se vonesat e mëdha ne përmbarimin e aktgjykimeve civile ne gjykatat në Kosovë dëmtojnë rëndë të drejtën për gjykim korrekt brenda kohës se arsyeshme duke dëmtuar ne përgjithësi sundimin e ligjit. Në këtë kontekst Komisioni Evropian në Raportin e progresit për Kosovën për vitin 2010 thekson se: “aktgjykimet e pa ekzekutuara kane shkelur besimin e publikut, në aftësinë, profesionalizmin dhe korrektësinë e gjyqësorit duke kufizuar në ketë mënyre qasjen efektive ne drejtësi.

Gjithashtu u theksua se sistemi privat i përmbarimit ka gjithashtu përparësinë e heqjes se përgjegjësisë se menaxhimit të procesit të përmbarimit nga gjyqtaret dhe zyrtaret përmbarues te gjykatave. Këto përgjegjësi i kalojnë agjentëve privat, por roli i gjykatave mbetet mjafte i rëndësishëm sepse çështjet me te ndjeshme si janë çështjet familjare mbesin kompetence ekskluzive e gjykatave, po ashtu mjetet juridike mbesin ne vendosje te gjykatave si dhe funksion tjetër i rëndësishëm është mbikëqyrja sepse palët të cilët mendojnë se agjenti privat ka shkelur ndonjë të drejte të tyre mund ti drejtohen gjykatës. Për këto arsye u potencua se sistemet e përmbarimit të bazuar rreth agjentëve privat të përmbarimit janë bëre standarde në pjesën me të madhe të Evropës Perëndimore dhe ne shtete ish socialiste dhe ne Evropën Qendrore dhe Evropën Lindore.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit dhe analizës së rasteve studimore, u zbërthyen dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, bashkëpunëtorët profesional dhe përmbaruesit privat.

Prapa