23-06-2020

Hartimi dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore

Hartimi dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore

Më 22-23 qershor 2020, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Hartimi dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore” në kuadër të PTV-së. Ky trajnim u mbajt virtualisht përmes platformës elektronike Zoom. Trajnimi u zhvillua direkt/live për dy ditë, dita I me 22.06.2020 nga ora 13:00-15:30 dhe dita II me 23.06.2020 nga ora 13:00-15:30. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me tematikën e hartimit dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore.        

Në dy ditët e trajnimit u trajtuan temat në vijim: Llojet e arsyetimit ligjor dhe parimet e shkrimit të mirë ligjor; Kërkesat ligjore për shkrimin dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe Zbatimi i metodës IRAC gjatë hartimit të vendimeve gjyqësore.

Në trajnim u theksua se kualiteti i vendimeve gjyqësore kryesisht varet nga kualiteti i arsyetimit. Më tej u tha se arsyetimi i vendimeve jo vetëm se ju mundëson palëve që lehtësisht ti kuptojnë dhe pranojnë vendimet, por para së gjithash paraqet mbrojtje nga arbitrariteti. Në rend të parë, arsyetimi i obligon gjyqtarët të përgjigjen në pretendimet e palëve, ti paraqesin qëndrimet të cilat justifikojnë vendimin dhe e bëjnë të ligjshëm, i mundësojnë shoqërisë të kuptoj funksionimin e sistemit gjyqësor.

Gjithashtu u potencua se përmes metodës IRAC, ekziston mundësia që problemi të trajtohet në mënyrë logjike, konsistente dhe të plotë. Fillimisht identifikohet çështja gjyqësore ose problemi që adresohet, pastaj shpjegohet norma ligjore (premisa e parë), duke vazhduar me aplikimin e saj në faktet specifike të situatës së çështjes (premisa sekondare), për të arritur tek konkluzioni me përgjigjen në pyetjen e parashtruar në hapin e parë.

Në vazhdim u trajtuan edhe struktura dhe përmbajtja e vendimeve gjyqësore sipas dispozitave të LPK-së dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore (analizë e konstatimit të fakteve, vlerësimit të provave dhe zbatimit të normës juridike).

Gjithashtu u potencua se shkrimi dhe arsyetimi ligjor është pjesë e punës së përditshme për secilin gjyqtarë dhe zyrtarë të gjykatave dhe prokurorive, prandaj është edhe parakusht për ngritjen e cilësisë se vendimeve gjyqësore dhe akteve të tjera, e rrjedhimisht edhe parakusht për efikasitetin dhe besueshmërinë e publikut në vendimet gjyqësore. Shkrimi i mirë ligjor karakterizohet me saktësinë, karakterin analitik, organizimin e mirë, konkretësinë, logjikën, korrektësinë, arsyetimin bindës dhe qartësinë.

Lidhur me aktgjykimin u potencua se gjykata me të vendos për themelësinë e kërkesëpadisë e cila është objekt i gjykimit. Me rastin e vendosjes për çështjen kryesore gjykata është e lidhur më kërkesën e palëve. Ajo nuk mund të vendos për asgjë tjetër, përveç për atë që ka kërkuar pala. Gjykata me rastin e vendosjes meritore ka për detyrë që të vendos për të gjitha kërkesat në mënyrë të plotë.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit, duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike, të përcjella me shembuj nga praktika gjyqësore dhe u ofruan përgjigje në pyetjet dhe paqartësitë e ngritura për të gjitha komponentët e shkrimit dhe arsyetimit të mirë ligjor.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore dhe bashkëpunëtorët profesional.

Prapa