14-10-2021

Punëtori - Hartimi i Procedurave Standarde të Veprimit për hetimin e rasteve të punës së rëndë të fëmijëve

Punëtori - Hartimi i Procedurave Standarde të Veprimit për hetimin e rasteve të punës së rëndë të fëmijëve

Sot më 14 Tetor 2021, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me zyrën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) ka realizuar Punëtorinë rreth “Hartimit të Procedurave Standarde të Veprimit për hetimin e rasteve të punës së rëndë të fëmijëve”.

Kjo punëtori ka ardhur si rezultat i 2 trajnimeve të realizuara gjatë vitit 2020, në të cilat u shpreh nevoja e hartimit të PSV-ve rreth angazhimit të fëmijëve në punë të rënda dhe punë të detyruara.

Qëllimi i punëtorisë ishte:

  1. Sigurimi që procedurat standarde të veprimit të adresojnë sfidat kryesore me të cilat përballen Gjyqtarët dhe Prokurorët në zbatimin e ligjeve penale në Kosovë;
  2. Sigurimi që metodologjia e propozuar e hartimit të jetë efektive;
  3. Të merren reagime dhe rekomandime specifike nga vet akterët e përfshirë në procedura, në mënyrë që të hartohen procedura standarde sa më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Hartimi i procedurave standarde ka për qëllim që të kuptohen drejtë normat ndërkombëtare të ndjekjes penale, të kuptohen ligjet dhe praktikat gjyqësore për rastet e sigurimit të provave gjatë angazhimit të fëmijëve në punë të rënda, të krahasohet legjislacioni vendor me atë ndërkombëtar etj.

Punëtoria është zhvilluar në mënyrë fizike, gjithmonë duke i respektuar të gjitha masat e parapara me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, rreth higjienës, distancës, hapësirës me qëllim të ruajtjes nga virusi COVID-19.

Pjesëmarrës në grupin e parë punues ishin: Gjyqtarë nga Gjykatat Themelore, Prokurorë nga Prokuroritë Themelore, Mbrojtës të Viktimave, zyrtarë nga Qendrat për Punë Sociale si dhe përfaqësues nga Akademia e Drejtësisë, më saktësisht trajnuesi i përhershëm brenda AD-së.

Prapa