29-09-2022

Trajnim i avancuar i Trajnuesve për Ndërmjetësim

Trajnim i avancuar i Trajnuesve për Ndërmjetësim

Nga data 27 shtator e deri më 29 shtator, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit (FMCS) të SHBA-së, të mbështetur dhe të financuar nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Ambasadës së SHBA-së, ka zhvilluar sesionin e tretë të Trajnimit të Trajnuesve për Ndërmjetësim.

Trajnimi u zhvillua edhe si vazhdimësi e Javës së Ndërmjetësimit, e cila ka filluar nga data 20 shtator, e që Akademia e Drejtësisë ka qenë një nga Institucionet kyçe në fushatën e proklamimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve rreth procedurës së Ndërmjetësimit.

Me anë të sesioneve të vazhdueshme të Trajnimit, Akademia e Drejtësisë, synon që të krijohet një kuadër i profesionalizuar i trajnuesve nga fusha e Ndërmjetësimit, të cilët do vazhdojnë pastaj trajnimet në AD, varësisht nevojave dhe programit trajnues për Gjyqtarët, Prokurorët, stafin administrativ të Gjykatave dhe Prokurorive, si dhe profesionet e lira.

Gjatë sesionit të III-të trajnimit, ekspertët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës z. Dave Moora dhe znj. Emily Rife u fokusuan më shumë në trajtimin e zhvillimit të shkathtësive trajnuese në sallë,  për parimet e mësimit të të rriturve, ushtrimet hapëse për aktivizimin e pjesëmarrësve në trajnim, lojërat në role etj.

Gjithashtu fokusi ishte edhe tek fjala hyrëse në ndërmjetësim, mënyra e përdorimit të teknologjisë në mënyrë sa më efektive, format e tejkalimit të mosmarrëveshjeve.

Të gjitha temat e diskutimit, u pasuan edhe me ushtrime praktike, dhe role simuluese nga pjesëmarrësit, të monitoruara nga trajnuesit.

Përfitues të Trajnimit ishin 15 ndërmjetësuesit e përzgjedhur për Programin Trajnues të Ndërmjetësimit.

Prapa