Programi i trajnimit fillestar për prokurorët e sapo emëruar ka vazhduar me realizimin e aktiviteteve të planifikuara për muajin nëntor.
Në kuadër të trajnimit teorik për prokurorët e sapo emëruar janë realizuar (16) sesione trajnuese nga moduli “Kodi i Procedurës Penale”.
Nga nën moduli “Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë” janë realizuar tre (3) sesione trajnuese, ku u trajtuan thirrja, urdhër arresti dhe premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin, ndalimi i të pandehurit për t’iu afruar vendit të caktuar dhe personave të caktuar, obligimi i të pandehurit për paraqitjen më të afërt në stacionin policor dhe dorëzania dhe arresti shtëpiak, diversioni dhe paraburgimi.
Në kuadër të nën modulit “ I pandehuri në procedurën penale” janë realizuar pesë (5) sesione trajnuese, ku prokurorët e sapo emëruar patën rastin të thellojnë njohurit e tyre lidhur me të pandehurin si subjekt i procedurës penale dhe gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor, të drejtat e tij për ushtrimin e mjeteve juridike duke theksuar pozitën e të pandehurit pas ngritjes dhe gjatë procedurës së konfirmimit të aktakuzës.
Gjithashtu prokurorët kanë realizuar pesë (5) sesione nga nën moduli “Dëshmitarët dhe të dëmtuarit në procedurën penale” ku pjesëmarrësit u informuan rreth marrjes në pyetje dhe e deklaratave të dëshmitarëve para ngritjes së aktakuzës, dëshmitarët e mbrojtur dhe dëshmitarët bashkëpunues si dhe i dëmtuari dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve në shqyrtimin gjyqësor.
Po ashtu nga nën modulit “Masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit” janë realizuar tre (3) sesione trajnuese ndër të cilat janë shtjelluar: Kushtet ligjore për autorizimin e masave të fshehta dhe të drejtat e personave të atakuar si dhe përgjimi i telekomunikimeve dhe regjistrimi i bisedave telefonike me anë të hetimeve të fshehta dhe nga zbulimi i të dhënave financiare
Po ashtu, në drejtim të përmbushjes së programit praktik me institucionet jo gjyqësore, gjatë muajit nëntor prokurorët e sapo emëruar kanë vijuar trajnim edhe në Shërbimin Sprovues, dhe në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës, ku prokurorët patën rastin të përfitojnë njohuri lidhur me punët të cilët i zhvillojnë këto institucione.
Për këtë periudhë prokurorët e sapo emëruar kanë realizuar (10) ditë trajnimi praktik në prokurorit përkatëse ashtu siç është paraparë me programin trajnues. Trajnimin fillestar janë duke e ndjekur 12 prokurorë të sapo emëruar.
30-11-2019