Më datën 18 prill 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar, ka realizuar trajnimin praktik me Shërbimin Sprovues të Kosovës. Qëllimi i këtij trajnimi ishte që gjyqtarët e sapo emëruar të njoftohen me rolin, funksionin dhe përgjegjësitë e Shërbimit Sprovues të Kosovës.
Në kuadër të këtij trajnimi praktik u prezantua një historik i shkurtër i themelimit, organizimit, dhe funksionimit të saj. Njëkohësisht u trajtua veprimtaria e Shërbimit Sprovues, organizimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e ekzekutimit të dënimeve alternative, ri-integrimi i personave të dënuar, mbikëqyrja dhe ndihma ndaj kryerësve të veprave penale të varur nga droga, ose alkooli të cilët i nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm rehabilitues, si dhe ndihma ndaj personave të dënuar të liruar me kusht.
Po ashtu fokusi i trajnimit u përqendrua tek ngritja e vetëdijes shoqërore dhe bashkëpunimi me të gjitha organet e pushtetit shtetëror për humanizmin e ekzekutimit të dënimeve alternative, zvogëlimin e shkallës së recidivizmit dhe rritjen e përgjithshme të sigurisë për shoqërinë tonë”.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e sapo emëruar, gjenerata e VI-të e PTF-së.
18-04-2018