News and Activities - Archive

03-07-2019

Parashkrimi sipas dispozitave të LMD-së

Më 03 korrik 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së organizoj trajnimin me temë: “Parashkrimi sipas dispozitave të LMD-së”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me parashkrimin si institut juridik të së drejtës së detyrimeve.

Me rastin e këtij trajnimi u trajtuan: Rregullat e përgjithshme të parashkrimit, llogaritja e fillimit, ndërprerjes, rrjedha e parashkrimit, heqja dorë nga parashkrimi dhe afatet e parashkrimit për kërkesat e caktuara si dhe ndalja e parashkrimit.

Që në fillim u potencua se parashkrimi është institut juridik i së drejtës së detyrimeve sipas të cilit kërkesa e kreditorit nuk mund të realizohet përmes rrugës gjyqësore, për shkak të kalimit të kohës brenda të cilës është dashur të parashtrohet padia. Parashkrimi i kërkesave ndodh me qëllim të garantimit të sigurisë juridike, që kreditorët kërkesat e tyre t’i mbrojnë në afat të caktuar sepse mund të ndodh që të bëhet e pa mundur mbrojtja e të drejtave përmes rrugës gjyqësore, për shkak të kalimit të kohës së përcaktuar me ligj.

Në vazhdim u theksua se instituti juridik i parashkrimit konsiderohet njëri ndër institutet më të rëndësishme të së drejtës detyrimore, sepse ai siguron marrëdhëniet juridike detyrimore të jenë më të qëndrueshme. Kreditorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm që kërkesat e tyre të realizohen dhe të mos lejohet që parashkrimi të ketë ndikim në marrëdhëniet e tyre detyrimore. Andaj, parashkrimi paraqet një nga mënyrat e shuarjes së detyrimit deri te i cili vjen me sjellje pasive të kreditorit dhe sjellje aktive të debitorit.

Një ashtu u vequa konkludimi se me dispozitat e LMD-së është përcaktuar rregulli i përgjithshëm i fillimit të rrjedhjes së parashkrimit; parashkrimi fillon të rrjedh ditën e parë pas ditës kur kreditori të ketë pasur të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit në qoftë se me ligj për rastet e veçanta nuk është parashikuar diçka tjetër. Kjo rregull ka përjashtime (p.sh. kërkesat që parashkruhen për një vit - neni 360 i LMD-së).

Gjithashtu u konkludua se me punë juridike nuk mund të caktohet një kohë më e gjatë ose më e shkurtër e parashkrimit se sa koha e caktuar me ligj, gjithashtu nuk mund të caktohet që parashkrimi të mos rrjedh për një kohë. Nëse palët  me kontratë  përcaktojnë se debitori ka hequr dorë nga parashkrimi pa kaluar koha e caktuar me ligj, ose parashkrimi do të ndalet së rrjedhuri për një kohë të caktuar, kjo klauzolë nuk ka efekt juridik. Debitori nuk mund të heq dorë nga parashkrimi para se të ketë kaluar koha e caktuar me ligj për parashkrim.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore si dhe duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.

Përfitues në këtë trajnim ishin: gjyqtarët e gjykatave themelore, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, dhe bashkëpunëtorët profesional.

Share :