KOMUNIKATË PËR MEDIA
Promovohet udhërrëfyesi për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje
Më 5 dhjetor 2011, Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK), në bashkëpunim dhe mbështetje të Projektit të Drejtësisë Për Barazi Gjinore (UNWOMEN) në Kosovë, promovuanudhërrëfyesin për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
IGJK si institucion përgjegjës për trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve si dhe kandidatëve për këto pozita është përkushtuar të ofrojë trajnime të kualitetit të lartë në çështjet më të rëndësishme të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve, duke mbështetur kështu funksionimin e plotë dhe të drejtë të gjykatave dhe prokurorive të Kosovës.
Viktimat e dhunës në familje gjithmonë dhe në çdo kohë kanë ku të drejtohen për ndihmë, prandaj gjyqësori i Kosovës luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen e këtyre viktimave. Lavdim Krasniqi, Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës theksoi se “Dhuna në familje është problem serioz në të gjithë botën dhe ka ndikim negativ në familje dhe shoqëri. Me këtë rast ne besojmë se ky udhërrëfyes është edhe një kontribut më tepër në rritjen e reagimit të kërkuar nga ligji ndaj dhunës në familje.
Në disa regjione të Kosovës dhuna në familje po shënon rritje, dhe kjo për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, përdorimit të tepërt të alkoolit, stresit dhe faktorëve tjerë përcjellës. Qëllimi i këtij udhërrëfyesi është që t’iu ofrojë viktimave të dhunës në familje informata se si të kërkojnë ndihmë kur ato përjetojnë dhunë në familje. Gjithashtu ky udhërrëfyes paraqet edhe rolin e institucioneve shtetërore me fokus rolin e gjyqtarëve, prokurorëve, policisë, shoqërisë civile dhe akterëve tjerë të cilët punojnë në mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Udhërrëfyesi ofron informata esenciale edhe lidhur me ligjet me të cilat rregullohen rastet e dhunës në familje si dhe procedurat ligjore për mbrojtjen e viktimave të kësaj dhune.
Flora Macula,Këshilltare për Qeverisje dhe Paqe në UNWOMEN, shtoi se”UN WOMEN përkrahë IGJK-në në integrimin e çështjeve gjinore në gjyqësor me qëllim të plotësimit të nevojave të grave në rrafshin e sigurisë. Në kuadër të bashkëpunimit tonë vëmendje të posaçme i është dhënë ngritjes së qasjes së grave dhe vajzave në drejtësi dhe adresimit adekuat të gjyqësorit në raste të dhunës në baza gjinore duke ngritur zbatimin e legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar që adreson barazinë gjinore e në veçanti Ligjin për Mbrojtjen e Viktimave nga Dhuna në Familje”. Znj Macula the se”falënderojmë IGJK për bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe profesional në këtë drejtim. Falënderojmë gjithashtu gjyqtarët dhe prokurorët për përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre në promovimin të drejtave njerëzore të grave me shpresë se do të ndihmojë zbatimin e ligjeve që adresojnë barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.
IGJK beson se ky udhërrëfyes do të ndihmojë në punën e përditshme të gjyqësorit si do të kontribuoj edhe më tutje në ngritjen e nivelit të zbatimit të ligjeve që adresojnë barazinë gjinore dhe drejtat e grave, si dhe mbrojtjen adekuate në rastet e dhunës në familje.
05-12-2011