Me 25 qershor 2012, IGJK në kuadër të Programit të Vazhdueshëm për Arsimim Ligjor ka mbajtur trajnimin e radhës me temë: “Kontratat - përgjegjësia parakontraktuale, formimi dhe interpretimi i kontratave”.
Si rezultat i këtij trajnimi përfituesit do të jenë në gjendje që:
• T’i zbatojnë drejtë dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve (LMD) lidhur me kontratat dhe përgjegjësin parakontraktuale;
• Të dallojnë format e ndryshme të kontratave dhe procesin e lidhjes së tyre;
• Të zbatojnë drejt rregullat e përgjithshme dhe të veçanta për interpretimin e kontratave.
Në këtë trajnim u shtjelluan çështjet ligjore që ndërlidhen me kontratat, e në veçanti, fokusimi ishte mbi detyrimet dhe përgjegjësitë parakontraktuale, si dhe problemet aktuale në fushën e zbatimit të këtyre kërkesave ligjore lidhur me përgjegjësin parakontraktuale në praktikë. Ishte me interes trajtimi i risive ligjore që përmban LMD për këtë institut juridik. Gjithanshëm u shqyrtua edhe aftësia punuese e palëve, autonomia e vullnetit të tyre, format e kontratave, kushtet për lidhjen e tyre dhe rregullat për interpretimin e tyre. Gjatë shtjellimit të temës u paraqiten shembuj nga praktika gjyqësore vendore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e lëmisë civile të të gjitha niveleve dhe nga të gjitha regjionet e Kosovës.
25-06-2012