News and Activities - Archive

15-03-2013

Vizitë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë-Luksemburg dhe në Akademinë për të Drejtën Evropiane (ERA) në Trier

 

Nga 10 deri 15 mars 2013, në kuadër të aktiviteteve për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtarë dhe me qëllim të avancimit të programeve trajnuese lidhur me të Drejtën Evropiane, një delegacion i përbërë nga trajnuesit e IGJK-së për të Drejtën e BE-së dhe Koordinatorja e Programit në IGJK, realizoi një vizitë studimore në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg dhe në Akademinë për të Drejtën Evropiane (ERA) në Trier të Gjermanisë. Kjo vizitë është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ).

Në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë delegacioni u prit nga gjyqtarët slloven, Marko Ilesic,  Kryetar i Dhomës së Gjykatës, si dhe Miro Prek, gjyqtar në Gjykatën e Përgjithshme të cilët e njoftuan delegacionin me punën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, në veçanti për veprimtarinë e Gjykatës së Përgjithshme. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë që gjykata në të ardhmen të bashkëpunojë me IGJK-në në realizim të programeve praktike për gjyqtarë, prokurorë dhe kandidatë për gjyqtarë e prokurorë të Kosovës, lidhur me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Gjatë vizitës delegacioni u njoftua edhe me; rastet nga praktika gjyqësore, punën e Avokatit Gjeneral, veprimtarinë e Njësitit për Informim dhe Komunikim, Regjistrat e Gjykatës dhe rregullat e reja të procedurës, administrimin e rasteve të paraqitura në gjykatë në formë fizike dhe elektronike, si dhe me punën e Drejtoratit për Dokumente dhe Hulumtime, mjetet për hulumtim dhe shpërndarjen e lëndëve në Gjykatë.

Me këtë rast pjesëmarrësit e vizitës përcollën nga afër një seancë dëgjimore lidhur me rastin e ankimuar Franca/Komisioni Evropian, si dhe një seancën dëgjimore lidhur me rastin e referuar Gjykatës për shqyrtim paraprak.

Delegacioni nga IGJK, njoftoi përfaqësuesit e gjykatës për zhvillimet në sistemin gjyqësor në Kosovë, veçanërisht në fushën e trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe përpjekjet e IGJK-së që e Drejta e BE-së (Acquis Communitaire) dhe praktika e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të integrohet në të gjitha programet trajnuese. 

Si pjesë e programit ishte edhe vizita e librarisë së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, me ç’rast trajnuesit e IGJK-së patën rastin të bëjnë hulumtime individuale me qëllim të freskimit të programit të trajnimeve për të Drejtën e BE-së. 

Pjesa e dytë e këtij programi ishte vizita dhe pjesëmarrja në një trajnim në Akademinë e së Drejtës së BE (ERA), në Trier të Gjermanisë. Me këtë rast delegacioni u prit nga Drejtori z. Wolfgang Heusel, i cili e prezantoi historikun, strukturën organizative, aktivitetet dhe bashkëpunimin të cilat Akademia i zhvillon në periudhën e saj 20 vjeçare të themelimit. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e mbështetjes nga ERA të programeve trajnuese dhe aktiviteteve të tjera të IGJK-së si dhe mundësitë e inkuadrimit të IGJK-së në Rrjetin Evropian të Qendrave për Trajnime EJTN. Më tej zv. drejtori i Akademisë dhe drejtori i programit z. Jean Philipe Regeade prezantoi detaje rreth programeve dhe aktivitete e Akademisë, metodologjisë së trajnimeve, përfituesve, trajnuesve dhe vlerësimit të nevojave.

 

Share :