Më 16 dhe 17 nëntor 2012, IGJK me përkrahje të UNDP ka mbajtur seminarin dyditor me temë “Risitë e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve” në Pejë. Ekspertë që ligjëruan në këtë seminar ishin profesorë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës-hartues të këtij ligji dhe gjyqtarë me përvojë.
Si rezultat i këtij seminari pjesëmarrësit do të jenë në gjendje që të:
• Të njohin dhe zbatojnë drejtë dispozitat që janë risi të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.
• Të shpjegojnë dhe zbatojnë dispozitat ligjore për detyrimet parakontraktuale.
• Të zbërthejnë dhe zbatojnë drejtë dispozitat e LMD-së mbi lidhjen e kontratave.
• Të interpretojnë dhe zbatojnë saktë rregullat për kamatën dhe kamatëvonesën.
• Të njohin dhe zbërthejnë llojet dhe elementet kryesore të kontratave të reja që ka paraparë LMD, dhe
• Të interpretojnë drejtë dispozitat përfundimtare të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve në marrëdhëniet juridike-detyrimore.
Gjatë trajnimit u shtjelluan çështjet që kanë të bëjnë risitë e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, dallimet në mes të dispozitave të vjetra dhe atyre të reja të LMD-së dhe me mënyrën se si t’i qasen gjykatësit zbatimit praktik të dispozitave të reja të LMD-së. Gjithashtu vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vështirësive dhe dilemave me të cilat do të ballafaqohen gjyqtarët në zbatimin e dispozitave të reja ligjore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e lëmisë civile të të gjitha niveleve dhe nga të gjitha regjionet e Kosovës.
17-11-2012