News and Activities - Archive

06-02-2019

Raporti i vizitës së prokurorëve të sapo emëruar (Gjenerata VII) në “Agjencinë Kosovare të Privatizimit”

Më 06 shkurt 2019 Akademia e Drejtësisë në kuadër të programit të trajnimeve Fillestare, organizoi për prokurorët e sapo emëruar (gjenerata VII) vizitë në “Agjencinë Kosovare të Privatizimit”.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që prokurorët e sapo emëruar të njoftohen me procedurat e privatizimit të subjekteve të  AKP-së, rolin e Agjencisë në procesin e privatizimit,  verifikimin dhe shpalljen e fituesit të përkohshëm, aprovimin dhe refuzimin e ofertës si dhe për procesin e privatizimit dhe likuidimit në Kosovë.

Në kuadër të kësaj vizite, prokurorët u njoftuan për së afërmi me, infrastrukturën ligjore, punën, veprimtarinë, problemet me të cilat ballafaqohet ky institucion. Gjithashtu u pasqyrua struktura organizative e AKP-së, përfshirë edhe zyrat regjionale, të cilat janë nën menaxhimin e saj, procesi i vendimmarrjes në AKP dhe mandati i Bordit të Drejtorëve, si instanca kryesore vendimmarrëse. 

Në këtë drejtim, u trajtuan edhe komponenta e shitjes së aseteve, dhe likuidimit të ndërmarrjeve si procese operative në AKP. Prokurorët patën rastin të njoftohen më shumë edhe për komisionet e AKP-së të cilat kanë rolin kryesor në shitjen dhe likuidimin e aseteve.

Si çështje me fokus të veçantë ishte edhe procedura tenderuese, ku pjesëmarrësit u njoftuan për së afërmi me mënyrën se si del një ndërmarrje në tenderim, afatet kohore, si dhe përmbyllja e shitjes.

U trajtua edhe dallimi mes likuidimit dhe falimentimit si dy tema me rëndësi në punën e prokurorëve.

Përfitues të trajnimit ishin Prokurorët e sapo emëruar (gjenerata VII) 2018-2019.

Share :