Më 20 dhe 21 shtator 2011, IGJK në bashkëpunim me OSBE - Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODHIR), mbajti një seminar për gjyqtarë dhe prokurorë me temë “Shkëmbimi i Përvojave në Dënimin e Çështjeve për Krimet e Luftës me fokus në -Krimet e Luftës dhe Llojet e Përgjegjësive”
Qëllimi i tryezës ishte avancimi i njohurive dhe shkëmbimi i përvojave lidhur me procedimin e rasteve të krimeve të luftës dhe njohja me Statutin dhe praktikën gjyqësore të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish Jugosllavi (ICTY).
Seminari u fokusua në normat ligjore që përcaktojnë dhe sanksionojnë veprat penale të krimeve të luftës duke përfshirë instrumentet ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor, llojet e përgjegjësive dhe ndjekjen penale, si dhe rastet nga praktika gjyqësore e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish Jugosllavi (ICTY).
Gjithashtu në këtë seminar gjyqtarët dhe prokurorët vendor prezantuan dhe diskutuan lidhur me përvojën e tyre në fushën e krimeve të luftës dhe praktikën gjyqësore në Kosovë, raste këto me të cilat janë marrë kryesisht gjyqtarë dhe prokurorë të UNMIK-ut dhe tani të EULEX-it.
Përfitues të kësaj tryeze ishin gjyqtarët penalistë, prokurorë nga Prokuroria e Shtetit dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilët në mbështetje të këtij programi do të marrin pjesë edhe në një vizitë studimore në Tribunalin e Hagës (ICTY), me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të gjyqësorit të Republikës së Kosovës në procedimin e lëndëve të krimeve të luftës.
20-09-2011