News and Activities - Archive

03-12-2010

Fjalim i Z. Lavdim Krasniqi, Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës

 

I nderuari Z. President në detyrë, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryeprokurorë i Shtetit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesor,

Përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë,

Drejtorë dhe trajnues të Akademisë së trajnimit të Maqedonisë dhe Shkollës së Magjistraturës së Shqipërisë,

Kandidatë të diplomuar,

Mysafir të nderuar ,

Zonja dhe Zotërinj,

Ju dëshiroj mirëseardhje në ceremoninë solemne të Diplomimit të Gjeneratës së Dytë të Kandidatëve për Gjyqtarë dhe Prokurorë të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Zonja dhe Zotërinj, 

Henry Ford ka thënë:

“Bashkimi sjell fillimin, qëndrimi të bashkuar sjell progresin, puna e përbashkët sjell suksesin” 

Që nga themelimi i tij, Instituti Gjyqësor i Kosovës i ka kushtuar vëmendje të veçantë ngritjes profesionale të profesionistëve kryesor për zbatimin dhe promovimin e sundimit të ligjit.

Zonja dhe zotërinj,

Kanë kaluar dymbëdhjetë muaj nga diplomimi i gjeneratës së parë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, dhe ja ku jemi sot këtu së bashku, në të njëjtën sallë për të shënuar edhe një të arritur tjetër të Institutit Gjyqësor të Kosovës, diplomimin e gjeneratës së dytë të kandidatëve.

E veçanta e këtij momenti është se këta kandidat tanimë janë emëruar disa ditë më parë nga Presidenti në detyrë z. Jakup Krsniqi.

Kjo e arritur tregon se Instituti Gjyqësor i Kosovës është shndërruar në një institucion të qëndrueshëm në pajtim me standardet ndërkombëtare për ofrimin e arsimimit ligjor kualitativ për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë, e në veçanti për përgatitjen e kandidatëve potencial për gjyqtarë dhe prokurorë.

Ky ishte edhe vizioni ynë që “përmes përpjekjeve vetanake, bashkëpunimit dhe partneritetit, Institutin Gjyqësor të Kosovës ta bëjmë institucion prijës shtetëror dhe rajonal, në zhvillimin dhe avancimin e trajnimeve efektive për zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Ky vizion na udhëzon edhe për ditët e sotme.

Duke punuar së bashku me ekspertë vendor dhe donatorë arritëm të ndërtojmë kapacitetet e Këshillit Drejtues dhe stafit të Institutit, të zbatojmë Planin Strategjik dhe aktet nënligjore përkatëse.

Përmes shembujve të fituar nga bashkëpunimi i ngushtë me institucionet ndërkombëtare të trajnimit gjyqësor, si ajo e Francës, Gjermanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Spanjës, Portugalisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Rrjetit të Lisbonës etj, morëm praktikat më të mira që i përshtateshin rrethanave të Kosovës.

Me këtë arritëm të hartojmë kornizën e aktiviteteve për organizimin e Provimit Përgatitor dhe Programit Fillestar për Arsimim Ligjor. Po ashtu, arritëm të hartojmë edhe programin e trajnimit 15 mujor i cili për dy fazat e para përmban 34 module trajnimi, ndërsa faza e tretë i kushtohet periudhës së punës praktike të kandidatëve në gjykata dhe prokurori.

A i ka bërë tërë këto të arritura i vetëm Instituti Gjyqësor i Kosovës?

Me siguri që JO.

Për këtë, me këtë rast dëshiroj t’i shpreh falënderime të veçanta:

Këshillit Drejtues dhe Këshillit Programor të Institutit Gjyqësor të Kosovës për mbështetjen me përkushtim të reformës gjyqësore në Kosovë. Këshillit Gjyqësor dhe Kryeprokurorit të Shtetit. 

Juve ekspertë dhe trajnues vendor (gjyqtarë dhe prokurorë) që keni ndihmuar secilin hapë të këtij procesi.

Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme.

Komunitetit ndërkombëtarë për ndihmën financiare dhe ofrimin e ekspertizës profesionale në këtë proces. 

Të gjithë ju meritoni mirënjohje sot. Ju Faleminderit.

Tu japim një duartrokitje të fortë.

Ne dhe ju e kemi ditur që për t’i arritur këto qëllime në reformën gjyqësore, populli i Kosovës ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë profesional të trajnuar mirë, me ndërgjegje të fortë dhe etike.  

Andaj, ja ku jemi sot, duke inauguruar diplomimin e gjeneratës së dytë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj me këto kredenciale.

Winston Churchill thoshte:

"Suksesi asnjëherë nuk është final. Dështimi asnjëherë nuk është fatal. Është guximi ai që vlerësohet".

Nëse shikojmë mbrapa në këtë rrugëtim - rrugëtim i cili kishte filluar me hapa të vogël, tani mund të shohim se sa larg këta kandidatë të rinj për gjyqtarë dhe prokurorë kanë përparuar.

Ju, familjarë,

Ju, Këshill Drejtues i Institutit Gjyqësor të Kosovës,

Ju, trajnues,

Ju, komunitet gjyqësor,

Ju, komunitet ndërkombëtar,

Të gjithë e përbëni nga një pjesë të secilit kandidatë dhe të qenit e tyre sot këtu.

Pa ju dhe mbështetjen tuaj në këtë proces, nuk do të kishte pasur trajnim e as diplomim.

Se kush janë këta kandidatë më së miri e tregon fakti i emërimit të tyre në përfundim të një shkolle profesionale.

Këta kandidatë janë ata që i plotësonin të gjitha kriteret për t’u emëruar. Ata kanë përvojën e duhur, kanë provimin e jurisprudencës, kanë kaluar provimin përgatitor (me gojë dhe me shkrim), kanë përfunduar me sukses 15 muaj të Programit Fillestar për Arsimim Ligjor gjatë të cilit kanë mësuar 34 module trajnimi, kanë kaluar provimet në mes-faza dhe ato finale nga secili modul, kanë kaluar fazën e praktikës dhe ja ku janë tani GATI për tu shërbyer qytetarëve të Kosovës si gjyqtarë dhe prokurorë duke ndarë drejtësinë.

Zonja dhe zotërinj.

I tërë procesi i përgatitjes së kësaj gjenerate ishte i koordinuar me KPGJP-në dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me të vetmin qëllim që të përmirësojnë sistemin gjyqësor dhe të ngritin sundimin e ligjit. Të gjithë këta kandidatë janë emëruar para diplomimit, por me kusht që të fillonin punën vetëm pas përfundimit të trajnimit. Tani ata qëndrojnë para juve si një figurë e re e sistemit gjyqësor të Kosovës.

A ishte ky proces i lehtë?

Jo aspak.

Po a ja vlente të punohet?

Natyrisht.

Për të ardhmen e Kosovës. Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të drejtën dhe paanshmërinë e një shoqërie demokratike. Më e rëndësishmja për t’i mbrojtur ata të cilët nuk janë në gjendje të mbrohen vet.

Ju kandidatë keni ardhur në Institutin Gjyqësor të Kosovës pa qenë të sigurt se do të emëroheni. Kjo ishte vërtetë stresuese  dhe  nuk keni ditur çka të pritni nga Instituti Gjyqësor i Kosovës. Mua më kujtohet i tërë ky proces. Po juve a ju kujtohet?  

Pra, a i ka plotësuar Instituti Gjyqësor i Kosovës pritjet tuaja? A jeni të befasuar?

Tani sapo keni hyni në një botë të re, tani nuk jeni më kandidat të thjeshtë, por si të diplomuar dhe të dekretuar si gjyqtarë dhe prokurorë.

Shpresoj se të gjithë ju do t’i ndiqni ëndrrat tuaja, arrini sukses dhe bëni Kosovën të ndihet krenare me ju. Jo vetëm për veten dhe familjen tuaj, por tërë shoqërinë. 

Kjo e arritur që po shënojmë sot mund të zbehet apo edhe të harrohet. Duartrokitjet mund të bëhen të largëta në kujtesë dhe diplomat e librat tuaja të mbushen me pluhur në sirtarët tuaj. Mirëpo, ju gjithmonë do të mbaheni mend për studim të vazhdueshëm, të qenit etik, të përgjegjshëm dhe duke i bërë familjet tuaja të ndihen krenare për përkushtimin tuaj ndaj drejtësisë.

John F. Kennedy ka thenë:

“Ndryshimi është ligj i jetës. Ata që shikojnë vetëm në të kaluarën ose në të tashmen padyshim se do ta humbin të ardhmen”

E ardhmja është tani.

Është kënaqësi e veçantë që tani Instituti Gjyqësor i Kosovës po ua dorëzon të përgatitur këta kandidatë, për të qenë një e ardhme e ndritshme e gjyqësorit, Juve Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Juve  Kryeprokuror i Shtetit.

Këta kandidatë po qëndrojnë para jush të gatshëm, të aftë dhe me vullnet të plotë për të qenë e ardhmja e një gjyqësori profesional si gjyqtarë dhe prokurorë të trajnuar, të përkushtuar dhe zotuar për sundim të ligjit dhe respektim të drejtave të njeriut.

Z. Kryesues dhe ju z. Kryeprokuror, Unë ju premtoj se përderisa të jem Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës puna jonë në përgatitjen dhe ofrimin e kandidatëve profesionalisht të përgatitur nuk do të përfundoj sot, por do të vazhdoj edhe më tutje.

Këtë më së miri e dëshmon gjenerata jonë e tretë me radhë e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë e cila në Korrik vitin e ardhshëm do të jetë e gatshme të filloj fazën praktike në gjykata dhe prokurori.

Ne zotohemi ta vazhdojmë mbarëvajtjen e këtij procesi deri sa pamjaftueshmëria e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të jetë më çështje e diskutueshme.

Në përfundim, ju uroj të gjithëve.

Ju vërtetë keni qenë kandidatë të mirë, nga më të mirët.  

Bëhuni të barabartë, të drejtë dhe të paanshëm në secilin rast që e shqyrtoni.

Gjithashtu kënaquni me atë që e bëni, dhe kujtojeni atë që njëherë Nënë Tereza kishte thënë,

"Jeta është sfidë, përballuni me atë".

 

Share :