Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

13-03-2015

Vizitë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Drejtorit të Shkollës së Magjstraturës të Shqipërisë

Më 13 mars 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës priti për vizitë Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Republikes se Shqipërisë z. Xhezair Zaganjori dhe Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës z. Sokol Sadushi, me ç’rast u promovua libri “Standardet e Gjykimit Civil, Administrativ dhe Penal përmes Vendimeve Unifikuese të Gjykatës së Lartë 2000-2014”. Me këtë rast z. Zaganjori dhe z. Sadushi mbajtën edhe një ligjeratë para kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të gjeneratës së pestë të PTF-së.

Në fokus të kësaj ligjërate ishin çështjet me të cilat ballafaqohet Gjykata e Lartë, sfidat dhe aktivitetet e Shkollës së Magjstraturës, shkëmbimi i ideve për praktikat më të mira, shkëmbimi i përvojave në raport të organizimit të trajnimeve gjyqësore, mundësia e organizimit të programeve të përbashkëta të trajnimeve gjyqësore, si dhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit në mes të IGJK-së dhe Shkollës së Magjistraturës.

Botimi i promovuar si dhe botimet tjera të Shkollës së Magjistraturës të cilat ishin sjellë për pjesëmarrësit kanë për qëllim të ndihmojnë personat që merren me drejtësi në kryerjen e kësaj detyre, me qëllim të forcimit të shtetit ligjor, për të fituar besimin e njerëzve si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ligjërata ishte mjaft interaktive, me ç’rast kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë patën rastin të pyesin për temat në fokus të ligjëratës si dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Shpërndaje :