Këshilli Drejtues

Këshilli Drejtues

Ligji Nr. 05/L -095 për Akademinë e Drejtësisë, themelon Akademinë e Drejtësisë dhe rregullon statusin, funksionet dhe organet e saj, mënyrën dhe kushtet sipas të cilave kryhet trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit të Republikës së Kosovës, trajnimi i personelit administrativ gjyqësor dhe prokurorial, si dhe çështje të tjera në pajtim me ligjin.

Ligji po përcakton Këshillin Drejtues, Këshillin Programor dhe Drejtorin Ekzekutiv, si organet më të larta drejtuese.

Këshilli Drejtues i Akademisë ka një përfaqësim të institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë përfshirë edhe përfaqësimin etnik. Kjo përbërje siguron një përfaqësim gjithëpërfshirës dhe të drejtë të interesave të akterëve të drejtësisë  në Kosovë dhe garanton pavarësinë dhe paanshmërinë e Akademisë në funksion të interesit më të mirë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vend. 

Këshilli Drejtues i Akademisë, përbëhet nga nëntë (9) anëtarë, nga të cilët dy (2) janë anëtarë ex officio. Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurori i Shtetit, ndërsa shtatë (7) anëtarë, nga institucionet e mëposhtme:


  • tre (3) anëtarë të emëruar nga KGJK, dhe atë, një (1) gjyqtar nga Gjykata Themelore, një (1) gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe një (1) anëtar nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
  • tre (3) anëtarë të emëruar nga KPK, dhe atë, një (1) prokuror nga Prokuroria Themelore, një (1) prokuror nga Prokuroria e Apelit dhe një (1) anëtar nga Sekretariati i Këshillit Prokurorial të Kosovës;
  • një (1) anëtar i emëruar nga Ministri i Drejtësisë;

Përgjegjësitë e Këshillit Drejtues janë të përcaktuara me ligj;

  • miratimin e akteve nënligjore të përcaktuara me këtë ligj;
  • miratimi i projektbuxhetit të Akademisë;
  • miratimi i strategjisë zhvillimore, planit të punës së Akademisë dhe programit të trajnimeve;
  • miratimi i listës së trajnerëve dhe mentorëve;
  • mbikëqyrja e punës së Akademisë;
  • përcaktimi i prioriteteve në ofrimin e trajnimeve në bashkëpunim me KGJK-në dhe KPK-në;
  • zgjedhja dhe shkarkimi i Drejtorit Ekzekutiv;
  • emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Këshillit Programor;
  • kryerja e punëve të tjera të përcaktuara me ligj dhe akte nënligjore.