Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

08-05-2015

Formalizimi i bashkëpunimit në mes të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës

Nga data 4-8 maj 2015, një delegacion i IGJK-së në përbërje të Drejtorit të IGJK, Koordinatorit të Programit dhe Udhëheqësve të Programeve trajnuese, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Programit të BE-së TAIEX, kanë qëndruar në Shkollën Kombëtare të Magjistraturës së Francës.

Qëllimi i këtij programi studimor është para së gjithash themelimi i bashkëpunimit formal në mes Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës i cili bashkëpunim u formalizua përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve nga fusha e trajnimeve gjyqësore.

Kjo marrëveshje nënshkruhet me qellim të forcimit të rolit të trajnimit në përmirësimin e funksionimit të institucioneve gjyqësore dhe promovimin e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe përcaktimi i aktiviteteve në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe modalitetet e zbatimit të tyre.

Sipas kësaj marrëveshje Shkolla Kombëtare e Magjistraturës e Francës dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës deklarojnë gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin, në varësi të burimeve dhe mundësive në dispozicion të veprimeve që do të kenë të bëjnë me; trajnimin fillestar, trajnimin e vazhdueshëm dhe çdo fushë tjetër në lidhje me trajnimin dhe informimin e  gjyqtarëve dhe prokurorëve francezë dhe kosovarë. Ky bashkëpunim do të realizohet përmes, shkëmbimit të dokumenteve (publikime shkencore dhe materiale pedagogjike), vizitave studimore, trajnimeve dhe programeve praktike të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë dhe atyre të ardhshëm, misioneve të ekspertizave teknike si dhe pjesëmarrjes së ndërsjellë të gjyqtarëve francezë dhe kosovarë dhe gjyqtarëve të ardhshëm në seminare me tema të interesit të përbashkët.

Gjate kësaj vizite studimore pjesëmarrësit patën rastin të njihen me programet e Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës, lidhur me trajnimin fillestar, provimin pranues dhe atë përfundimtar të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, sistemin e vlerësimit të kandidatëve gjatë trajnimeve, programin e trajnimeve të vazhdueshme, programin e kërkimeve dhe dokumentacionit, programet e bashkëpunimit ndërkombëtarë si dhe aspekte tjera të punës së Shkollës Kombëtare të Magjistraturës të cilat do të kenë ndikim në avancimin e punës profesionale të Institutit Gjyqësor të Kosovës.  

Shpërndaje :