Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-06-2015

Standardet më të larta në ndalimin e diskriminimit

Më 10 qershor 2015, në kuadër të PTV-së, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë ka realizuar trajnimin me temë “Standardet më të larta kundër diskriminimit”.

Synimi i trajnimit ishte zgjerimi i njohurive teorike dhe praktike që ndërlidhen me zbatimin e drejtë dhe interpretimin uniform të legjislacionit për mbrojtjen nga diskriminimi në Kosovë, dhe në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, në mënyrë që të garantohet mbrojtje me e mirë për viktimat e diskriminimit.

Fillimisht në këtë trajnim prezantoi një ekspert ndërkombëtar i cili kryesisht u fokusua në praktiken e GJEDNJ-së lidhur me diskriminimin si një trajtim paragjykues. Pjesë e rëndësishme e prezantimit të tij ishin rastet  praktike studimore të cilat i paraqiti në formë të detyrave për gjyqtarët dhe prokurorët pjesëmarrës lidhur me identifikimin e elementeve diskriminuese.

Në sesionin e pasdites, punimet u fokusuan në zbërthimin e kornizës ligjore dhe strukturës institucionale vendore për mbrojtjen nga diskriminimi, identifikimin dhe hetimin efektiv të krimeve të urrejtjes ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT, me ç‘ rast u potencua nevoja për bashkëpunim efikas mes gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve policor dhe akterëve tjerë social për mbrojtjen e këtij komuniteti.

Trajnimi u zhvillua me diskutime interaktive me ç’ rast gjyqtarët dhe prokurorët pjesëmarrës  parashtruan pyetje dhe ngritën diskutime lidhur me temat në fokus të trajnimit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e nivelit themelor dhe të apelit, prokurorët e nivelit themelor si dhe zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë.

Shpërndaje :