Më 14 korrik 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka organizuar tryezë diskutimesh me temë “Ekspertiza mjeko ligjore - Sfidat në zbatimin praktik të legjislacionit”.
Tryeza kishte për qëllim të shërbente si mundësi ku do të trajtohen, evidentohen problemet dhe propozohen zgjidhje për eliminimin e paqartësive sa i përket ekspertizave mjeko-ligjore.
Fillimisht në këtë tryezë, prezantoi Prof. Dr. Sokrat Meksi, ekspert mjeko ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, i cili ndau, me gjyqtarët, prokurorët dhe ekspertët mjeko ligjor vendas pjesëmarrës në këtë tryezë, përvojat e tij dhe elaboroi shkurtimisht praktiken aktuale në Shqipëri sa i përket ekspertizave mjeko ligjore, problemet dhe sfidat në të cilat ata hasin.
Gjatë zhvillimit të kësaj tryeze, pjesëmarrësit diskutuan dhe paraqiten dilemat e tyre në këtë rrafsh, me ç’ rast u potencua nevoja e ekspertizave të mirëfillta mjeko ligjore në drejtim të zbulimit dhe luftimit të krimit. Gjithashtu fakt me rëndësi në kuadër të kësaj tryeze u theksua nevoja për komunikim dhe konsultime të shtuara mes prokurorëve, ekspertëve mjeko ligjor dhe akterëve tjerë në drejtim të ngritjes së efikasitetit dhe profesionalizmit reciprok në përmbushje të obligimeve ligjore.
Kjo tryezë ishte vazhdimësi e tryezës së mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar ku janë diskutuar aspekte të ngjashme.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin gjyqtarë, prokurorë, ekspertë mjeko ligjor nga Ministria e Drejtësisë- Departamenti për Mjekësi Ligjore.
14-07-2015