Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-12-2015

Procedura përmbarimore ndaj subjekteve tregtare

Më 01 dhjetor 2015, IGJK në bashkëpunim me CLE-USAID ka realizuar trajnimin me temë “Procedura përmbarimore ndaj subjekteve tregtare”, që hynë në kuadër të Programit të Specializuar të trajnimeve për të Drejtën Komerciale.

Ky trajnim kishte për synim të kontribuoj në avancimin e njohurive dhe shkathtësive të pjesëmarrësve në zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore që rregullojnë këtë materie, në identifikimin dhe trajtimin e dilemave që janë duke u hasur në praktikën aktuale gjyqësore në procedurën e përmbarimit, të cilat janë shfaqur me rrethanat e reja ligjore të krijuara pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Procedurën Përmbarimore.

Në kuadër të këtij trajnimi u elaborua baza juridike për caktimin e përmbarimit, veprimet dhe objekti i përmbarimit, kompetencat e përmbaruesve privat dhe gjykatës në procedurat e përmbarimit, llojet e dokumenteve përmbarimore dhe dokumenteve të besueshme si dhe shtyrja, pezullimi, ndërprerja dhe përfundimi i procedurës përmbarimore në pjesën e shoqërive tregtare. Në kontekst të kësaj u trajtua përmbarimi në të holla, përmbarimi në sende të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe përmbarimi në të ardhura të përhershme në të holla dhe përmes llogarisë.

Gjithashtu, u diskutua lidhur me mjetet juridike kundër vendimeve dhe veprimeve ekzekutive të përmbaruesve privat, garancitë për prapësim kundër vendimit për caktim të përmbarimit sipas dokumentit të besueshëm dhe ankesa kundër parregullsive me rastin e kryerjes së përmbarimit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë nga Gjykata Supreme e Kosovës, gjyqtarë pranë Gjykatës së Apelit - Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Divizioni Civil, si dhe gjyqtarë nga Gjykata Themelore Prishtinë - Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Departamenti për Çështje Administrative. 

Shpërndaje :