Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

07-04-2016

Përkufizimi i juridiksionit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në raport me gjykatat e rregullta

Më 07 prill 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Përkufizimi i juridiksionit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në raport me gjykatat e rregullta”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve me legjislacionin në fuqi e veçmas me Ligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS) konkretisht zbërthimin e nenit 4, i cili përcakton si kompetencë ekskluzive fushat që kanë të bëjnë me kundërshtimin e vendimeve të ish AKM-së dhe të AKP-së si dhe mundësia e dërgimit të lëndëve në gjykatat e rregullta sipas nenit 5 të ligjit për DHPGJS-në.

Në këtë trajnim u  trajtuan edhe kërkesa të ndryshme për humbje financiare nga këto agjenci, kërkesa kundër një ndërmarrje apo korporate shoqërore, kërkesa që pretendojnë ndonjë të drejtë, titull apo interes për çfarëdo pasurie, apo prone mbi të cilën AKP-ja apo AKM-ja ka, apo ka shpallur autoritetin administrativ, pronësinë e një ndërmarrje dhe pronësinë mbi kapitalin e ndërmarrjeve shoqërore, të gjitha këto duke u shoqëruar me raste nga praktika.

Gjithanshëm u trajtuan edhe dilemat në praktikë rreth subjekteve që mund të ushtrojnë padi të përcaktuara me nenin 5 të Ligjit për DHPGJS-në. Gjatë trajnimit u dhanë përgjigje edhe në pyetjet si në vijim: nëse pala e paditur nuk bie në përkufizimin e nenit 5 të Ligjit për DHPGJS-në, a duhet të gjykoj DHPGJS-ja apo gjykata e rregullt? Kush mundet me qenë i paditur në DHPGJS? A do të duhej të aplikohet njëkohësisht neni 4 dhe 5 i Ligjit për DHPGJS-në për të kufizuar kompetencën apo të aplikohet ndaras? Trajnimi u fokusua në elaborimin e dilemave të ngritura përmes diskutimeve me pjesëmarrës dhe analizën e problemeve aktuale në praktik.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarë të Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe departamenteve të përgjithshme (divizioneve civile) të të gjitha gjykatave themelore

Shpërndaje :