Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-04-2016

Luftimi i ekonomisë jo formale

Më 26-28 prill 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit “Fuqizimi  i Kapaciteteve për Hetime Penale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit” ka realizuar trajnimin me temë “Luftimi i ekonomisë jo formale”.

Trajnimi kishte për qëllim avancimin e njohurive lidhur me fenomenet e mashtrimit në ekonomi, trajtimin e metodave efikase për parandalimin e kësaj dukurie dhe thellimin e bashkëpunimit të institucioneve relevante për zbatim të ligjit në këtë fushë.

Në kuadër të këtij trajnimi u elaborua korniza ligjore që mbulon këtë fushë, hetimet financiare si shtyllë e parë në luftën kundër ekonomisë jo formale, format e këtyre veprave si shpëlarja e parave, shmangia nga tatimi, evazioni fiskal përfshirë kontrabandimin dhe organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Më tej u trajtuan mënyrat dhe format e kryerjes së këtyre veprimtarive përmes krimeve kibernetike si dhe veprimet parandaluese për veprat e kësaj natyre.

Trajnimi u realizua me qasje interaktive të ekspertëve gjerman, të angazhuar në këtë trajnim si trajnues dhe pjesëmarrësve të cilët zhvilluan diskutime lidhur me praktikat gjermane dhe krahasimet me praktikën vendore, si dhe ndanë sfidat dhe vështirësitë që paraqitën në luftimin e krimeve ekonomike dhe financiare.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor, zyrtarë policor si dhe zyrtarë nga Njësia e Inteligjencës Financiare.

Shpërndaje :