Më 03 maj 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), ka realizuar trajnimin me temë “Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Trajnimi kishte për synim të trajtoj legjislacionin primar dhe sekondar për mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë dhe në këtë formë të kontribuoj në ngritjen e kapaciteteve të pjesëmarrësve në zbatimin e ligjit në këtë fushë.
Fillimisht në kuadër të këtij trajnimi u elaborua mandati ligjor dhe përgjegjësitë e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përpunimi i të dhënave personale, parimet e përpunimit të të dhënave personale si dhe masat dhe procedura në rastin e shkeljeve të të dhënave personale.
Më tej, u trajtua mbrojtja administrative dhe gjyqësore e të dhënave personale nga gjyqësori dhe standardet në relacion me të Drejtën e Bashkimit Evropian dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me ç’ rast u analizuan dhe diskutuan disa raste nga praktika e GJEDNJ-së, në fushën e mbrojtjes të së drejtës së privatësisë dhe mbrojtjes të të dhënave personale.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e Gjykatës se Apelit dhe Gjykatës Themelore -Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë dhe gjykatave tjera themelore.
03-05-2016