Më datë 14 shtator 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës si pjesë e programit të trajnimeve të vazhdueshme, ka realizuar trajnimin, nga fusha e drejtësisë për të mitur-aspekti penal, me temë “Masat edukative të shqiptuara ndaj të miturve”.
Trajnimi synonte që duke analizuar legjislacionin e zbatueshëm në këtë fushë, të sqaroj çështje që paraqiten si dilema në shqiptimin dhe zbatimin e masave edukuese, si dhe të ofroj praktikat më të mira në aplikimin e masave edukuese të parapara me KDM.
Në kuadër të këtij trajnimi u trajtua qëllimi i masave edukative dhe përfitimet e aplikimit të tyre, llojet e këtyre masave, ku u shtjelluan në mënyrë të hollësishme secila nga masat disiplinore, masat e mbikëqyrjes së shtuar si dhe masat edukative institucionale. Me tej u diskutua për kushtet ligjore dhe kriteret që vlerëson gjykata me rastin e shqiptimit të njërës nga masat, përcaktimi i kohëzgjatjes së tyre, si dhe roli i tyre në shmangien nga stigmatizimi i të miturve.
Trajnimi ishte i formatit ndërveprues, me diskutime nga ana e pjesëmarrësve për çështjet në fokus të këtij trajnimi, si dhe u prezantuan raste praktike dhe hipotetike nga ana e trajnuesve, me ç’ rast pjesëmarrësit u ndan në grupe për të trajtuar detyrat e parashtruara.
Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorë të nivelit themelor si dhe bashkëpunëtorët profesional.
14-09-2016