Me 13 tetor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës me përkrahjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Rëndësia e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ) dhe efektet e saj në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me rëndësinë e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe efektit të saj në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe sistemin kushtetues të vendit.
Temat që u trajtuan ishin: struktura dhe interpretimi i Konventës Evropiane dhe obligimet që dalin nga ky dokument për shtetet anëtare – palë të Konventës, struktura e KEDNJ, pastaj interpretimi i dispozitave të saja duke u shërbyer me rastet nga praktika e pasur e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe mënyrat e zbatimit në praktikë të dispozitave të saj nga gjykatat kombëtare.
Në këtë trajnim u trajtuan edhe raste nga praktika e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e që kanë pas efekt në gjyqësorin e rregullt. Me një shpjegim shterues dhe debat përmbajtësor u arrit të elaborohet roli i jurisprudencës së GJEDNJ dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në zbatimin e dispozitave të KEDNJ. Përmes diskutimeve dhe shembujve studimor u elaboruan të drejtat e përcaktuara me KEDNJ dhe vendimet e rëndësishme të jurisprudencës së GJEDNJ e që janë me vlerë obligative për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës si shtet i rrethit juridik evropian.
Përfitues të trajnimit ishin gjyqtarë të Gjykatës së Apelit dhe gjykatave themelore.
13-10-2016