Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-11-2016

Parandalimi dhe luftimi i migrimit të parregullt

Me 01 nëntor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e UNHCR në Prishtinë, në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Parandalimi dhe luftimi i migrimit të parregullt”.

Ky trajnim kishte për qëllim thellimin e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me standardet ndërkombëtare, dispozitat që përmbajnë ligjet në fuqi dhe dokumentet tjera të Republikës së Kosovës, në lëmin e migrimit.

Në trajnim gjithanshëm u trajtuan tematika e migrimit të parregullt dhe rreziqet, menaxhimi i migrimit ligjor dhe qarkullues dhe transformimi e zhvillimi i migracionit në faktor pozitiv ekonomik. Gjithashtu u trajtuan masat që ndikojnë në parandalimin dhe luftimin e migrimit të parregullt brenda territorit të Republikës së Kosovës e që intensifikohen përmes zbatimit të dispozitave të Ligjit për të Huajt, me të cilin rregullohen në mënyrë decidive veprimet që duhen të ndërmerren nga organet kompetente ndaj personave të cilët në Kosovë janë me qëndrim të parregullt.

Gjatë trajnimit dilemat u trajtuan përmes pyetjeve se sa janë institucionet efikase në identifikimin e imigrantëve të parregullt, sa janë nën kontroll lëvizjet e imigrantëve pas identifikimit dhe regjistrimit të tyre, çka duhet bërë për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie dhe u shpjeguan mënyrat efikase për parandalimin dhe luftimin e migrimit të parregullt.

Trajnimi u përcjell edhe me raste dhe shembuj konkret, ushtrime dhe detyra në grupe, për të zbërthyer kuptimin e drejtë të standardeve ndërkombëtare dhe dispozitave ligjore nacionale në fuqi lidhur me migrimin.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor, zyrtarë policor dhe zyrtarë nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) KRTC.

Shpërndaje :