Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

17-11-2016

Mbrojtja në punë dhe kompensimi i dëmit të shkaktuar në punë

Më 17 nëntor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të trajnimeve në PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja në punë dhe kompensimi i dëmit të shkaktuar në punë”.

Trajnimi kishte për qëllim që gjyqtarët të familjarizohen me legjislacionin e zbatueshëm dhe praktikat më të mira për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen, sigurinë dhe shëndetin në punë.

Fillimisht në këtë trajnim u  trajtuan të drejtat e punëmarrësve dhe përgjegjësitë e punëdhënësit në rastet e aksidenteve në punë apo sëmundjeve profesionale. Në veçanti u diskutua për ligjet materiale, përfshirë këtu edhe kontratën kolektive dhe aktet e brendshme të personit juridik të cilat janë të zbatueshme në rastet e aksidenteve në punë apo sëmundjeve profesionale.

Gjithashtu është diskutuar për procedurën gjyqësore e cila zhvillohet në bazë të padisë së parashtruar nga punëmarrësit në rastet kur kërkojnë kompensimin e dëmit për shkak të lëndimit në punë apo sëmundjeve profesionale, dispozitat ligjore të zbatueshme, çështjen e provave materiale që administrohen, rolin e ekspertëve mjekësor dhe atyre për siguri dhe mbrojtje në punë.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike të përcjella me shembuj nga praktika gjyqësore.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin gjyqtarë të nivelit themelor nga të gjitha regjionet e Kosovës.

Shpërndaje :