Më 03 shkurt 2017, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, ka realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja gjyqësore e të drejtës së pronësisë”.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte elaborimi i hollësishëm i ndryshimeve të legjislacionit vendor për të drejtën e pronësisë dhe standardeve të përcaktuara me protokollin 1 të KEDNJ-së.
Trajnimi kishte për synim që përmes prezantimit të rasteve nga praktika gjyqësore dhe diskutimeve grupore, të ofrohen alternativa për problemet dhe vështirësitë praktike në mbrojtjen e të drejtës së pronësisë në përgjithësi.
Gjatë këtij trajnimi u shtjelluan në mënyrë të hollësishme e drejta e pronësisë, paditë për mbrojtjen e pronësisë, padia e rivendikimit, padia negatore dhe padia publiciane. Me theks të veçantë u trajtua Protokolli 1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Trajnimi u realizua me metoda të kombinuara, përmes ligjërimit të pjesshëm teorik, diskutimeve aktive me pjesëmarrësit të cilët paraqitën sfidat dhe problemet nga këndvështrimi i tyre lidhur me temën.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor dhe të apelit.
03-02-2017