Në muajin janar 2017, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, për prokurorët e sapoemëruar, janë zhvilluar aktivitete trajnuese duke përfshirë trajnimin teorik dhe praktikë.
Në kuadër të trajnimit teorik, në këtë periudhë janë realizuar gjithsej 14 sesione trajnimi për modulin “Kodi Penal i Kosovës”. Për pjesën e përgjithshme të Kodit Penal të Kosovës, janë realizuar 7 sesione trajnimi, ku janë shtjelluar veç e veç elementet e veprave penale siç janë veprimi, kundërligjshmëria, përcaktueshmëria me ligj, përgjegjësia penale etj. Ndër të tjera u elaboruan edhe fazat e kryerjes së veprës penale, nocioni, sistemimi dhe karakteristikat kryesore të sanksioneve penale dhe ekzekutimit të tyre. Ndërsa, për pjesën e veçantë të Kodit Penal të Kosovës, janë realizuar 7 sesione trajnimi, duke u elaboruar në këtë formë disa nga: veprat penale nga kapitulli XX dhe XXIII, veprat penale nga kapitulli XXIII dhe XXV, veprat penale nga kapitulli XXVII dhe veprat penale nga kapitulli i XXIX.
Metodologjia e përdorur ishte e kombinuar gjatë realizimit të këtyre sesioneve trajnuese, duke përfshirë prezantime dhe diskutime interaktive, ku prokurorët e sapoemëruar ngritën çështje me interes dhe dilema të cilat po ashtu i vërejnë gjatë fazës praktike të trajnimit në prokuroritë përkatëse. Përmes detyrave dhe ushtrimeve praktike, ata u angazhuan në përgatitjen dhe prezantimin e rasteve për situata të ndryshme hipotetike.
Në kuadër të trajnimit praktikë në prokurori, prokurorët e sapoemëruar kanë vazhduar praktikën në prokuroritë përkatëse konform orarit të përcaktuar me program, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre.
Po ashtu në përmbushje të programit trajnues, më datë 18 janar 2017 prokurorët e sapoemëruar kanë vijuar trajnimin praktikë në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë.
30-01-2017