Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

08-03-2017

Bashkë-ndërgjyqësia dhe ndërhyrësit në procedurë

Më 08 mars 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Bashkë-ndërgjyqësia dhe ndërhyrësit në procedurë”.

Ky trajnim kishte për qëllim që gjyqtarët e fushës civile t’i avancojnë njohuritë e tyre për bashkë-ndërgjyqësinë si institut juridik, i cili në praktikë paraqitet në mënyrë mjaft komplekse, si dhe njëkohësisht të thellojnë njohuritë rreth ndërhyrësve kur ata paraqiten në procedurë, në funksion të zbatimit të drejtë të procedurës dhe vendosjes në mënyrë meritore.

Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtua nocioni i bashkë-ndërgjyqësisë, llojet e bashkë-ndërgjyqësisë, efektet e vendimeve të bashkë ndërgjyqësve në procedurën kontestimore, pozita procedurale e bashkë ndërgjyqësve dhe veprimet e tyre, si dhe pasojat të cilat i shkaktojnë ato veprime.

Më tutje u trajtua pjesëmarrja e personave të tretë në kontest civil (ndërhyrësit), mënyrat e ndërhyrjes dhe llojet e ndërhyrësve, efekti i aktgjykimit ndaj bashkë-ndërgjyqësve dhe ndaj ndërhyrësve. Gjithashtu u trajtuan edhe llojet e ndërhyrësve, kushtet që parasheh LPK për lejimin e ndërhyrjes si dhe dallimi mes ndërhyrësve.

Në kuadër të kësaj, gjithanshëm u trajtua edhe efekti i aktgjykimit ndaj bashkë ndërgjyqësve dhe ndërhyrësve në procedurën kontestimore.

Gjatë trajnimit u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike të përcjella me shembuj praktik, ku pjesëmarrësit ishin aktiv duke marrë pjesë në diskutime me prezantuesin pas çdo shpjegimi.

Përfitues ishin gjyqtarët e divizioneve civile në gjykatat themelore dhe të Gjykatës së Apelit si dhe bashkëpunëtorët profesional.

 

Shpërndaje :