Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

13-03-2017

Parashkrimi

Më 13 mars 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme ka realizuar trajnimin me temë “Parashkrimi”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me llogaritjen e parashkrimit dhe infrastrukturën ligjore për respektimin e tij në praktikë, si dhe për format apo veprimet që duhet ndërmarrë për zbatimin konsekuent në praktikë të dispozitave ligjore që rregullojnë çështjen e parashkrimit. 

Gjatë trajnimit u trajtua parashkrimi si institut juridik që nënkupton pamundësinë e ndjekjes penale, shqiptimit të dënimit dhe ekzekutimin e sanksioneve penale apo masave të trajtimit të detyrueshëm për shkak të kalimit të afatit të caktuar ligjor, afat ky i cili është i ndryshueshëm dhe varet nga lloji i veprës penale, si dhe lartësia e dënimit.

Parashkrimi i lëndëve në proceset penale paraqet një problematikë dhe sfidë për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, marrë për bazë numrin e lëndëve të parashkruara. Andaj, vëmendje iu kushtua faktorëve kryesor që ndikojnë në rritjen e lëndëve të parashkruara (konsiderohet ngarkesa e madhe me lëndë e gjyqtarëve dhe prokurorëve), por edhe faktorë tjerë që kanë të bëjnë me aspektin profesional të zbatimit të dispozitave ligjore që kanë si pasojë mosrespektimin e afateve ligjore.

Trajnimi u zhvillua në formë të diskutimeve interaktive, ku pjesëmarrësit kishin mundësinë të paraqesin sfidat dhe vështirësitë që ballafaqohen në praktikë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor.

 

Shpërndaje :