Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

17-03-2017

Procedura në KPMSHCK dhe mbrojtja gjyqësore në kontestet e punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës

Më 17 mars 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Procedura në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës dhe mbrojtja gjyqësore në kontestet e punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës”.

Ky trajnim kishte për qëllim avancimin e njohuritë të gjyqtarëve lidhur me zbatimin e drejtë të legjislacionit mbi Shërbimin Civil të Kosovës dhe akteve nënligjore që rregullojnë këtë lëmi, zbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur në procedurë gjyqësore si dhe evitimin e dilemave që kanë gjyqtarët lidhur me dispozitat ligjore përkatëse.

Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtua korniza ligjore për nëpunësit civil, procedurat dhe afatet në kuadër të organit të punësimit, procedura ligjore në KPMK, vendimet dhe mjetet juridike kundër vendimeve të Këshillit, zbatimi i vendimeve të KPMK-së dhe procedura në rastet e mos zbatimit të vendimeve të KPMK-së.

Po ashtu u trajtuan procedurat gjyqësore në kontestet e marrëdhënies së punës për shërbyesit civil, sipas padisë për konfliktin administrativ duke përfshirë format, përmbajtjen dhe kushtet për ushtrimin e padisë, aktgjykimin në konfliktin administrativ si dhe mjetet juridike në konfliktin administrativ.

Me dobi ishin edhe analiza e vendimeve dhe interpretimet në këtë temë që kanë dhënë gjykatat e rregullta, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese përmes sqarimeve të trajnuesve.

Përfitues të trajnimit ishin gjyqtarët e Departamentit të Përgjithshëm, divizionit civil, të gjykatave themelore dhe Gjykatës së Apelit si dhe bashkëpunëtorët profesional.

 

Shpërndaje :