Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-02-2017

Aktivitetet e realizuara në PTF- shkurt 2017

Gjatë muajit shkurt 2017, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, janë zhvilluar aktivitete trajnuese sipas programit trajnues të miratuar ku është përfshirë trajnimin teorik dhe praktik.

Në kuadër të trajnimit teorik, në këtë periudhë janë realizuar 8 sesione trajnuese nga nën-moduli “KEDNJ-legjislacioni për të drejtat e njeriut”, ku ndër çështjet kryesore të trajtuara janë:  Këshilli i Evropës, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, neni 2, neni  4 i Protokollit 7, neni 5, neni 6 dhe neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjithashtu në përmbushje të trajnimit teorik, në këtë periudhë janë realizuar edhe 8 sesione trajnuese nga nën-moduli “Fillimi i hetimit formal dhe procedura penale”.

Në kuadër të këtij nën-moduli janë shtjelluar: procedura paraprake-parashtrimi i kallëzimit penal, fillimi dhe kohëzgjatja e hetimeve, pezullimi dhe pushimi i hetimeve, zgjerimi dhe rifillimi i hetimeve, masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, dëshmitarët dhe procedimi i tyre gjatë fazës së hetimeve, mundësia hetuese e veçantë, si dhe ngrirja dhe sekuestrimi si veprim procedural gjatë fazës së hetimeve.

Gjatë realizimit të këtyre sesioneve trajnuese, u aplikua një metodologji e kombinuar duke përfshirë ligjërime teorike dhe diskutime interaktive, ku prokurorët e sapoemëruar ngritën edhe dilema të cilat po ashtu i vërejnë gjatë fazës praktike të trajnimit në prokuroritë përkatëse.

Përmes detyrave dhe ushtrimeve praktike, ata u angazhuan në përgatitjen e rasteve të ndryshme.

Në kuadër të trajnimit praktikë në prokurori, prokurorët e sapoemëruar kanë vazhduar  praktikën në prokuroritë përkatëse konform orarit të përcaktuar me program, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre.

Po ashtu, në drejtim të përmbushjes së programit praktikë trajnues, prokurorët e sapo emëruar kanë vijuar trajnime në këto institucione: Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Agjencinë kundër Korrupsionit.

Shpërndaje :