Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

07-04-2017

Vizita e Shkollës së Magjistraturës së Shqipërisë

Me datë 6-7 prill 2017, në kuadër të bashkëpunimit të rregullt, në Akademinë e Drejtësisë po qëndrojnë për një vizitë pune përfaqësuesit më të lartë nga Shkolla e Magjistraturës së e Republikës së Shqipërisë si dhe ekspertë tjera nga fusha gjyqësore.

Në ditën e parë të vizitës delegacionin e priti z. Besim Morina, u.d. Drejtor i Akademisë së Drejtësisë së bashku me drejtuesit e departamenteve, i cili përfaqësuesit nga Shkolla e Magjistraturës i njoftoi nga afër me procesin e transformimit të Institutin Gjyqësor të Kosovës në Akademi të Drejtësisë, organizimin, funksionet dhe kompetencat bazuar në Ligjin për Akademinë e Drejtësisë.

Qëllimi i vizitës është intensifikimi i bashkëpunimit në mes të dy institucioneve të trajnimit gjyqësor, si dhe ndarja e përvojave në tejkalimin e sfidave të cilat paraqiten veçanërisht në fazat e reformave gjyqësore. Në këtë aspekt Drejtorët e institucioneve respektive shprehen gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për angazhim të mëtutjeshëm në hartim të programeve konkrete të shkëmbimit si të gjyqtarëve dhe prokurorëve, po ashtu edhe të trajnuesve të këtyre institucioneve.

Sipas agjendës delegacioni ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të institucioneve të gjyqësorit ku janë pritur nga z. Blerim Isufaj, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe z. Hasan Shala, Kryetar i Gjykatës së Apelit.

Delegacioni nga Shkolla e Magjistraturës zhvilloj takime edhe me Udhëheqësit e Programeve të Trajnimit Fillestar dhe të Vazhdueshëm, për t’u njoftuar me procesin e trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve veçanërisht ata të sapoemëruar dhe rrjedhën e trajnimit të vazhdueshëm.

Shpërndaje :