Me 17 – 18 maj 2017, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme realizoi trajnimin me temë “Menaxhimi i Stresit”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte aplikimi i praktikave më të mira që kanë të bëjnë me menaxhimin e suksesshëm të stresit i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e punës.
Në ditën e parë të këtij sesioni trajnues u trajtua kuptimi dhe rëndësia e menaxhimit të kohës dhe identifikimi i elementeve të këqija të cilat ndikojnë në shtimin e stresit. Me theks të veçantë nga trajnuesit u trajtua roli i kritikave dhe opinioneve negative, përballimi i situatave kur punët shkojnë keq, efekti i punëve dhe angazhimeve të padëshiruara, pasojat e mosshfrytëzimit të pushimeve ditore, si ndikon mungesa e prioriteteve lidhur me ngarkesën e punës, si reflektohet puna që është në mospërputhje me aftësitë e një punëtori dhe efekti i shfrytëzimit të produktit të punës nga të tjerët.
Në ditën e dytë të këtij trajnimi u trajtuan stresi, stresuesit, presioni, zhgënjimi, konflikti, përshtatja si përpjekje për përballimin e stresit dhe dëshpërimit si pengesë fizike, sociale e psikologjike, që individi mund t’i zotërojë me mundim të madh ose nuk mbërrin ta zotërojë për të arritur qëllimin, me të cilin përmbush motivin e tij.
Po ashtu u diskutua edhe për ndryshimet që pasojnë sjelljet e njeriut të demoralizuar që janë ndryshime pozitive dhe ndryshime negative. Për ndryshimet pozitive – u potencua se ato kanë të bëjnë me të mësuarit e njeriut se pengesat në procesin e realizimit të qëllimeve të tij janë dukuri e rëndomtë dhe nuk është e thënë që këto pengesa të shpijnë në prapa kthesë, në mossukses. Ndërsa ndryshimet negative tek njeriu i demoralizuar rrjedhin nga gjendja e tij demoralizuese.
Përfitues të trajnimit ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor.
18-05-2017