Prill 2017, Akademia e Drejtësisë, me qëllim të realizimit të programit trajnues i planifikuar për muajin prill, ka vazhduar me realizimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, të cilin janë duke e vijuar prokurorët e shtetit të sapoemëruar.
Në këtë drejtim, në kuadër të trajnimit teorik janë realizuar edhe 2 sesionet e mbetura nga nën-moduli “Aktakuza - procedura e shqyrtimit”, me të cilat është përfunduar ky nën-modul, ku janë trajtuar: aktakuza me propozim për paraburgim, dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit në aspektin e ekspertimit mjeko ligjor me rastin e ngritjes së aktakuzës.
Masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, ishte nën-moduli tjetër i cili është përfunduar në këtë periudhë, nga i cili janë realizuar 6 sesione trajnuese dhe janë shtjelluar këto tema: kushtet ligjore për autorizimin e masave të fshehta dhe të drejtat e personave të atakuar, përgjimi i telekomunikimeve dhe regjistrimi i bisedave telefonike, hetimi i fshehtë dhe zbulimi i të dhënave financiare, shfrytëzimi i mjeteve për përcjellje të vendndodhjes, blerje e simuluar e sendit dhe simulimi i veprës së korrupsionit, kontrolli i dërgesave postare dhe dërgimi i kontrolluar i dërgesave postare, si dhe vëzhgimi i fshehtë fotografik ose me video dhe monitorimi i fshehtë i bisedave.
Nën-modulet Krimet e Rënda dhe Procesverbalet po ashtu janë zhvilluar në këtë periudhë. Nën-moduli Krimet e rënda, është zhvilluar përmes 1 sesioni trajnues dhe janë shtjelluar këto tema: trafikimi me qenie njerëzore, pastrimi i parave dhe krimi kibernetikë. Ndërsa për nën-modulin Procesverbalet, janë realizuar 3 sesione trajnuese, ku ndër çështjet kryesore të trajtuara ishin: procesverbalet, krijimi dhe mbajtja e procesverbaleve, regjistrimi i seancave me incizim audio dhe me incizim audio dhe video, shikimi i procesverbalit dhe shkresave të lëndës.
Në kuadër të trajnimit praktikë, prokurorët e sapoemëruar kanë vazhduar praktikën në prokuroritë përkatëse konform orarit të përcaktuar me program, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre, si dhe kanë vijuar trajnimet në këto institucione: Zyrën Kombëtare të Auditimit, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
29-04-2017