Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-09-2017

Lëvizja dhe qëndrimi i të huajve si dhe procedurat ligjore ndaj tyre në Republikën e Kosovës

Më 27 shtator 2017, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me CRPK-në, Partner Implementues i UNHCR, ka realizuar trajnimin me temë “Lëvizja dhe qëndrimi i të huajve si dhe procedurat ligjore ndaj tyre në Republikën e Kosovës”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte ngritja e njohurive të pjesëmarrësve lidhur me dispozitat ligjore në fuqi për azilin dhe zbatimin e tyre me rastin e vendosjes për azilin, njohja me procedurën e azilit që zhvillohet pranë Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisionit Kombëtar për Refugjatë të Kosovës si dhe procedura e konfliktit administrativ në gjykatën kompetente.

Gjatë këtij trajnimi vëmendje e veçantë iu përkushtua bashkëpunimit midis shteteve dhe UNHCR-it për zgjidhjen e problemeve të refugjatëve, posaçërisht kur ekziston lëvizja e papritur  dhe masive e zhvendosjes së njerëzve përgjatë kufijve, me qëllim të harmonizimit dhe përmirësimit të ofrimit të mbrojtjes ndërkombëtare në rajonet përkatëse, si dhe përkufizimet e refugjatit në   legjislacionin e instrumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu në kuadër të këtij trajnimi u elaborua edhe legjislacioni vendor, në veçanti Ligji për Azilin i Kosovës si dhe aktet tjera nënligjore që rregullojnë këtë fushë. Në këtë aspekt u shtjelluan të drejtat e azil këruesve sipas legjislacionit vendor, procedura e trajtimit të kërkesës për azilin dhe kushtet për pezullimin e kësaj procedure si dhe pushimi i të drejtës për azil.

Dilemat dhe pyetjet gjatë trajnimit u adresuan përmes shpjegimit të pjesshëm teorik, si dhe punës në grupe të pjesëmarrësve, duke u bazuar në raste dhe duke përdorur shembuj konkret nga praktika gjyqësore aktuale.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, prokurorë të nivelit themelor, zyrtarë nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe një zyrtar nga Agjensioni për Ndihmë Juridike Falas.

 

Shpërndaje :