Më 27 Mars 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar, ka realizuar trajnimin praktik në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte, që gjyqtarët e sapo emëruar të njoftohen për parimet, detyrat, funksionimin dhe rolin e ASHMDHP-së, si dhe përgjegjësitë ligjore në raport me mbrojtjen e të dhënave personale.
Në kuadër të këtij trajnimi, së pari Drejtori i Përgjithshëm i ASHMDHP-së, prezantoi një historik të shkurtër të themelimit, strukturën e organizimit dhe funksionimit të tij, ku theksoi se puna e përditshme e Agjencisë lidhet drejtpërdrejt me çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike.
Në kuadër të këtij trajnimi u bisedua për mbrojtjen e të dhënave personale, incizimet e personave në mënyrë të pa autorizuar, mbrojtjen e të dhënave në procedurat e ndjeshme gjyqësore, konfidencialitetin në rastet kur rrezikohet siguria shtetërore etj. Gjithashtu u potencua edhe përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale, ku këto të dhëna mund të përpunohen vetëm nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij ose saj, pastaj përpunimi i të dhënave personale të ndjeshme, mbrojtja e të dhënave personale të ndjeshme, përpunimi për qëllime të kërkimeve historike, statistikore, shkencore si dhe mbrojtja e të dhënave personale të personave të vdekur, siç parashihet me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Trajnimi u realizua përmes shpjegimeve teorike dhe diskutimeve interaktive, me ç’rast gjyqtarët e sapo emëruar patën rastin të bëjnë pyetje të ndryshme për çështjet që ishin në fokus të trajnimit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e sapo emëruar, gjenerata e VI-të e PTF-së.
27-03-2018