Më 13 qershor 2018, Akademia e Drejtësisë, bazuar në kërkesën Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në mbështetje të UNDP-së ka vazhduar trajnimin e shtatë me radhë dhe të fundit në këtë cikël, për zyrtarët e këtij institucioni me temë: “Procedura përmbarimore”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore që i referohen përmbarimit nga ana e ofruesve të ndihmës juridike falas.
Gjatë këtij trajnimi u trajtuan çështjet që kanë të bëjnë me kompetencën e organit përmbarues konkretisht gjykatës dhe përmbaruesit privat, dokumenti përmbarimor dhe dokumenti i besueshëm, propozimi për përmbarim, zbatimi i përmbarimit, shtyrja, pezullimi dhe përfundimi i përmbarimit, përmbarimi në sende të luajtshme dhe xhirollogari bankare, detyrimet bankare si dhe mjetet e rregullta juridike.
Gjatë trajnimit pati diskutime të shumta me theks të veçantë kur në cilësi të debitorit janë personat me asistencë sociale si dhe ata që janë në pension. Gjithashtu pati edhe diskutime edhe tek çështjet e alimentacionit në rastet kur nuk përmbushet detyrimi për alimentacionin. Të gjitha këto raste, përfshirë edhe raste tjera, u adresuan nga ana e trajnuesve në kuptim të zgjidhjeve që ofron Ligji i Procedurës Përmbarimore.
Përfitues në këtë trajnim ishin zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica, si dhe Podujeva. Përveç tyre ishin edhe pjesëmarrës nga OJQ si CRPK, CLARD si dhe Femrat Aktive të Gjakovës si dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
13-06-2018