Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

07-03-2019

Procedura penale ku përfshihen kryerësit me çrregullime mendore

Më 7 mars 2019, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme ka realizuar trajnimin me temë “Procedura penale ku përfshihen kryerësit me çrregullime mendore”.

Qëllimi i trajnimit ishte avancimi i shkathtësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve në zbatimin e drejtë të procedurave specifike tek rastet ku përfshihen kryerës të veprave penale me çrregullime mendore si dhe në kuptimin e kushteve lidhur me aftësinë e këtyre personave për t’iu nënshtruar gjykimit.

Gjatë këtij sesioni trajnimi  u trajtua  korniza  ligjore vendore e cila rregullon këtë sferë, kushtet për shqiptimin e masave për trajtim të detyrueshëm, në veçanti u diskutua trajtimi i detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor dhe trajtimi i detyrueshëm psikiatrik në liri. Po ashtu,  u shtjellua edhe zbatimi i ekzaminimit psikiatrik nga eksperti, qëllimi i këtij ekzaminimi dhe fazat e dhënies së urdhrit për ekzaminim psikiatrik me ç’ rast u potencua niveli jo i kënaqshëm i ekspertizave të përgatitura nga ekspertët. Vëmendje iu kushtua edhe paraburgimit dhe kushtet e veçanta që duhet plotësuar për të përcaktuar paraburgimin ndaj personave me çrregullime mendore.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët nga të gjitha regjionet e Kosovës.

Shpërndaje :