Më 16-19 prill 2019 në Durrës të Shqipërisë, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), në mbështetje të OSBE-së ka realizuar trajnimin për prokurorët e regjionit të Mitrovicës me temë: Sfidat e prokurorëve të rajonit të Mitrovicës dhe Kodi i ri Penal me theks të veçantë dispozitat e reja me ndryshimet legjislative.
Në hapje të këtij trajnimi në fillim mori fjalën Ilia Bundaleski Drejtor regjional i Misionit të OSBE-së në Mitrovicë, i cili në fjalën e tij mes tjerash theksoi rëndësinë e këtij trajnimi duke qenë se është në fokus Kodi i ri Penal dhe dispozitat e reja veçanërisht veprat e reja penale. Në vazhdim mori fjalën Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi i cili në fjalën e tij kryesisht foli rreth vështirësive në punë si dhe hyrjes në fuqi të Kodit Penal i cili ka ndryshime si në aspektin material dhe procedural ashtu edhe vepra të reja penale të cilat janë të rëndësishme për punën e prokurorit. Vëmendje të veçantë gjatë fjalës së tij iu dha edhe veprave korruptive, politikës ndëshkimore dhe rolit të prokurorit në zbatimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzave. Më pas mori fjalën Shyqyri Syla kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë i cili në fjalën e tij mes tjerash falënderoi OSBE-në për bashkëpunimin veçanërisht në sundimin e ligjit, mbështetjen në procesin e integrimit dhe mbështetjen e vazhdueshme qoftë me trajnime qoftë në forma tjera. Në fund të pranishmëve iu drejtuar Laura Pula, prokurore në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit e cila i përshëndeti organizatoret e këtij trajnimi, Kryeprokurorin e Shtetit, pjesëmarrësit dhe Akademinë e Drejtësisë e më pas u fokusua te pikat dhe objektivat e këtij trajnimi duke kërkuar interaktivitet nga pjesëmarrësit.
Gjatë këtij trajnimi në ditën e parë kryesisht është diskutuar për sfidat dhe vështirësitë në punën e përditshme të prokurorëve nga rajoni i Mitrovicës që nga fillimi i punës pas luftës, numri i vogël i prokurorëve, pastaj organizimi i ri i prokurorisë sipas ligjit, integrimi i prokurorëve dhe stafit administrativ sipas marrëveshjes së Brukselit e deri në ditët e sotme. Në vazhdim u potencua edhe nevoja e përkthimit të lëndëve për të cilën ka qenë sfiduese duke qenë se kanë pasur pak përkthyes por që me angazhimin dhe mbështetjen e donatorëve dhe KPK kanë arritur të rrisin numrin e përkthyesve. Me rastin e këtij trajnimi si sfidë e veçantë është identifikuar edhe numri i madh i gjyqtarëve nëpër gjitha degët, e që prokuroret ngarkohen me ftesa nëpër gjykime duke pasur shumë pak kohë të punojnë në zyre për lëndët e reja, meqë numri i prokurorëve është më i vogël në proporcion me gjyqtarët. Më tej, pavarësisht këtyre sfidave u tha që është punuar dhe ka rezultate meqë prokurorët kanë kryer lëndë me normë të dyfishuar gjë që gjatë vitit 2018, 92% e aktakuzave kanë kaluar me aktgjykim dënues.
Në vazhdim të këtij trajnimi për tri ditë tjera me radhë janë identifikuar ndryshimet në Kodin Penal duke vënë në pah se janë rritur dënimet te një numër shumë i madhe i veprave penale, janë parashikuar vepra të reja penale si dhe janë riformuluar mjaftë nene për t’i bërë më të qarta dispozitat e tyre. Vëmendje të veçantë kryesisht i është kushtuar dhunës në familje e cila tashmë është paraparë si vepër penale duke pasur parasysh se është dukuri shumë e shpeshtë në shoqërinë tonë. Si rezultat i të gjeturave nga hulumtimet u tha që rastet më të shpeshta të kësaj dukurie janë në regjionin e Ferizajt, Mitrovicës dhe Prishtinës. Më tej u elaboruan elementet e veprës penale dhunë në familje duke sqaruar se çfarë është dhuna fizike, dhuna psikologjike, dhuna seksuale dhe dhuna ekonomike.
Në vazhdim u diskutua edhe për rolin e prokurorit në ndjekjen penale të këtyre rasteve, për procedurën, të drejtat e viktimës etj. Në kuadër të këtij trajnimi janë elaboruar edhe tiparet e ngacmimit seksual sipas Kodit Penal.
Nga pjesëmarrësit u ngritën mjaftë çështje të cilat paraqesin vështirësi për prokurorët duke vënë në pah mungesën e koordinimit institucional në mes të prokurorisë dhe Qendrës për Punë sociale, pastaj mungesën e mekanizmave për trajtimin e mëtutjeshëm të viktimave të dhunës por edhe të kryesit të veprave penale dhunë në familje etj.
Pjesëmarrësit patën rastin që përmes punës në grupe dhe rasteve për studim të dhunës në familje të identifikojnë elementet e veprës penale te dhunës në familje si dhe mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve sipas ligjit të ri.
Në fund të këtij trajnimi u elaboruan edhe masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale duke i trajtuar veq e veq secilën masë dhe njëkohësisht duke vënë në pah dispozitat ligjore. Gjithashtu u nxjerrën konkludimet përfundimtare mbi çështjet e identifikuara veçanërisht:
Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorët dhe stafi administrativ i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
19-04-2019