Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

06-06-2019

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe efektet juridike të tyre

Më 06 qershor 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe efektet juridike të tyre”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me rolin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe vendimeve të saj, natyrën juridike, efektin si dhe mënyrën e përmbarimit të tyre.

Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: Roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe vendimeve të saja, natyra juridike e këtyre vendimeve dhe efektet e tyre. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Llojet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe  përmbarimi i tyre.

Që në fillim u potencua se në praktikën e Gjykatës Kushtetuese dallohen disa lloj vendimesh në varësi nga qëndrimi që ato mbajnë ndaj normave që kontrollojnë. Po kështu, edhe proceset që kryhen nëpërmjet vendimeve mund të kenë natyra të ndryshme. Roli i Gjykatës Kushtetuese qëndron pikërisht në fuqinë e vendimeve të saj. Mirëpo realizimi dhe zbatimi praktik i vendimeve gjyqësore kushtetuese është një çështje me rëndësi të veçante dhe për këtë u diskutua në mënyrë të gjithanshme.

Në këtë trajnim u potencua se siç përcaktohet edhe me Kushtetutë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Më tej u potencua se për efektin juridik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta përcakton se: ato janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës, përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi i ligjit, i aktit ose i veprimit hyn në fuqi në ditën e publikimit të vendimit të Gjykatës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese shpallen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Më tej u vequa mendimi se: Siç vërehet edhe nga përmbajtja neni 53 i Kushtetutës së Kosovës obligon gjyqtarët që në vendimet e tyre gjyqësore të reflektojnë frymën interpretative të GJEDNJ në Strasburg Ndonëse kjo praktikë e referimit në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së nga gjykatat e rregullta është akoma në fazën fillestare, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në mënyrë konsistente i është referuar kësaj praktike gjyqësore kur është konfrontuar me çështje-shqyrtimi i të cilave ka qenë kufizimi i lirive dhe të drejtave kushtetuese.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit teorik, duke u bazuar në raste studimore dhe nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga trajnuesit, përmes analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Përfitues ishin: gjyqtarët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :