Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

25-06-2019

Mbrojtja gjyqësore në rast të fyerjes dhe shpifjes

Më 25  qershor  2019, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja gjyqësore në rast të fyerjes dhe shpifjes”.

Qëllimi i trajnimit ishte avancimi i shkathtësive profesionale të përfituesve të trajnimit, në zbatimin e drejtë të  mbrojtjes gjyqësore në rast të fyerjes dhe shpifjes në pajtim me parimet Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe zbatimit të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në atë vendore.

Gjatë këtij trajnimi u elaborua korniza ligjore vendore dhe praktika gjyqësore e Kosovës lidhur me  fyerjen dhe shpifjen, padia për shpifje dhe fyerje, liria e shprehjes si një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike dhe e drejta e qasjes në dokumente publike.

Po ashtu, u trajtua edhe përgjegjësia e gazetarit në publikimin e artikujve dhe zbulimi i burimit të informacionit në rastin e fyerjes dhe shpifjes tek personat me autoritet publikë, si dhe barra e provës në të gjitha veprat për shpifje dhe fyerje. Gjatë këtij trajnimi u vë në pah se i padituri do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij dhe konstatimi nga gjykata se një nga deklaratat e fakteve që vihen në dyshim është në thelb e vërtetë, e përjashton të paditurin nga çdo përgjegjësi.

Trajnimi u zhvillua në formë të diskutimeve interaktive, ku pjesëmarrësit kishin mundësinë të paraqesin sfidat dhe vështirësitë që ballafaqohen në praktikë gjatë punës së tyre të përditshme.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelore si dhe bashkëpunëtor profesional.

 

Shpërndaje :